Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, drejtoi mbledhjen e Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, ku u miratua vendimi për indeksimin e të gjitha kategorive të pensioneve, që mbulon Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas legjislacionit në fuqi.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët, që llogaritet nga INSTAT, rezultoi në masën 8.6%.

Vendimi do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe parashikohet që nga data 1 tetor 2023, mbi 767 mijë përfitues të të gjitha kategorive të pensioneve do të paguhen të indeksuar me këtë përqindje. Edhe pensioni social, që përfitohet nga personat rezidentë shqiptarë mbi moshën 70 vjeç, të cilët nuk kanë të ardhura, do të pësojë rritje në të njëjtën përqindje.  Nga kjo masë do të përfitojnë 2,499 persona, në shkallë vendi.

Pensioni mesatar (që llogaritet si produkt i gjithë shpenzimeve për pensione me numrin e pensionistëve) do të rritet në 18,794 lekë në muaj nga 17,306 lekë që është aktualisht, duke përmirësuar edhe shkallën e zëvendësimit të pensionit si një tregues i rëndësishëm i skemës.

Efektet financiare të politikës së indeksimit të pensioneve për tre muajt e mbetur të vitit 2023 llogariten në rreth 3.2 miliardë lekë, ndërsa ai mbartës për vitin 2024 do të jetë 12.1 miliardë lekë.

Këshilli Administrativ, në nisje të mbledhjes së mbajtur më 19 shtator 2023 zgjodhi si kryetar Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA