Të 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara i dhanë në mënyrë unanime dritën jeshile deklaratës për të rikonfirmuar përkushtimin e tyre ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Një grup vendesh të udhëhequra nga Rusia kishin kërcënuar me bllokimin e Deklaratës për Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm, por në fund nuk ndodhi asgjë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh se deklarata mund të përshpejtojë punën drejt jetësimit të objektivave të përbashkëta. Ajo përfshin dhe përkushtimin për financim të vendeve në zhvillim dhe ofrimin e mbështetjes përmes një pakete me vlerë të të paktën 500 miliardë dollarëve në vit.
Në mesin e 17 Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm është fundi i varfërisë ekstreme deri në 2030, objektiv ky i përmendur fillimisht më 2015. Pandemia e koronavirusit, lufta në Ukrainë dhe kriza me borxhet në vendet e varfra, e penguan avancimin drejt këtij pikësynimi. Sipas Kombeve të Bashkuara, nëse gjërat ecin me këtë ritëm, 575 milionë njerëz do të jetojnë në varfëri ekstreme dhe më shumë se 600 milionë tjerë do të përballen me uri deri më 2030.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për më shumë përpjekje, duke nënvizuar se nuk është shënuar përparimi i dëshiruar, por kjo siç tha ai, është arsye që të gjithë ne të kujdesemi për të arritur një avancim më të madh. Kancelari gjerman ka thënë se vendet në zhvillim janë në pritje të ndihmës më të madhe ekonomike nga kombet e fuqishme.
Top Channel