Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë publik 10 kandidatët për titullin e Poetit Laureat shqiptar 2023-2025.
Komisioni i këtij edicioni i kryesuar nga poetja nga Kosova Sibel Halimi, ka përzgjedhur si emra të mundshëm për mbajtur këtë titull, poetët: Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Natasha Lako, Flutura Açka, Sadik Bejko, Rita Petro, Arian Leka, Preç Zogaj, Ilirian Zhupa dhe Entela Tabaku.
“Po jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale po e zëvendëson njeriun, duke e shndërruar mbase edhe vet këtë të fundit në një makineri që njeh veç iluzionin virtual, larg realitetit, shpirtërores. Në këtë rend të ri shoqëror e kulturor, letërsia është shpëtimi i vetëm. “Poeti Laureat” do të shërbejë jo veç si promotor i poezisë si zhanër letrar por edhe si urë lidhëse e letërsisë me gjeneratat e reja”, u shpreh për Top Channel, drejtoresha e QKLL, Alda Bardhyli.
Poeti Laureat shqiptar duhet të jetë një personalitet me ndikim në fushën e poezisë, ndërsa për herë të parë këtë vit 10 kandidatët do ti nënshtrohen verifikimit të pastërtisë së figurës nga Autoriteti i Dosjeve.
Poeti i parë Laureat shqiptar është Rudolf Marku.
Top Channel