“Ushqimi është kthyer në armë”/ Zelensky në OKB: Dhjetëra fëmijë janë rrëmbyer nga Rusia

19/09/2023 21:09

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nisi fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me temën e armëve bërthamore.

Ai u shpreh se shekulli XX e ka mësuar njerëzimin që të mos përdoren armë për shkatërrim në masë, dhe që të promovohet çarmatimi i plotë bërthamor.

Mirëpo, sipas tij, Rusia ende ka burime bërthamore dhe “nuk ka të drejtë” të posedojë armë bërthamore.

“Ushqimi është kthyer në armë”

Sipas, presidentit ukrainas, ekzistojnë traktate kundër armëve, mirëpo jo edhe kufizime reale kundër kthimit në armë të gjërave sikurse ushqimi.

“Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, portet ukrainase janë bllokuar nga Rusia. Portet tona në lumin Danub janë shënjestra të raketave dhe dronëve”.

Zelensky tha se Rusia është duke i shfrytëzuar furnizimet me ushqim për t’iu bërë presion shteteve që ta njohin territorin e kapur ukrainas si rus, dhe i ka falënderuar ato shtete që kanë vendosur të blejnë grurë ukrainas, për t’iu rezistuar përpjekjeve të tilla.

“Rrëmbimi i fëmijëve është gjenocid”

Zelensky foli edhe për fëmijët ukrainas që janë dërguar në Rusi. Ai u shpreh se në të kaluarën grupet terroriste i kanë kidnapuar fëmijët, mirëpo tani, në kohë lufte, kidnapimi dhe dëbimi i fëmijëve ukrainas në Rusi është politikë e Qeverisë së presidentit rus, Vladimir Putin, diçka që nuk është parë kurrë më parë.

“Janë dhjetëra mijëra fëmijë që ne e dimë se janë rrëmbyer në Rusi”, tha Zelensky, duke shtuar se “ne jemi duke tentuar që t’i kthejmë ata sërish në shtëpi, por koha po ec”.

“Çfarë do të ndodhë me ta?” ka pyetur ai.

“Këta fëmijë në Rusi mësojnë që ta urrejnë Ukrainën dhe u shkëputen të gjitha lidhjet me familjet e tyre. Ky është gjenocid i pastër”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA