Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në forumin e nivelit të lartë politik për zhvillimin e qëndrueshëm që u mbajt në Nju Jork.
Takim ky që i parapriu nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Zhvillimi i qëndrueshëm është garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e Stabiliteti. Dëshiroj të theksoj se Shqipëria është në një rrugë zhvillimi të përshpejtuar, duke përqafuar një qasje gjithëpërfshirëse dhe transformuese që përfshin zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor. Zbatimi i agjendës së OZHQ-ve nuk është vetëm një prioritet; është një përpjekje kombëtare kolektive ku janë angazhuar të gjitha institucionet shtetërore, përfshirë shoqërinë civile.”– tha Bajram Begaj, President i Shqipërisë
Kreu i shtetit theksoi se duhen intensifikuar akoma më shumë përpjekjet për t’i dhënë një shtysë implementimit të Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.
“Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm vazhdojnë të shërbejnë si udhërrëfyesi ynë universal, i pandashëm dhe i integruar, duke udhëhequr vizionin dhe aspiratat tona për vitet në vijim“- tha Begaj.
Presidenti Begaj u ndal dhe në hapat e ndërmarra nga vendi ynë, ku veçoi miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të rezolutës që përvijon angazhimet për të promovuar, financuar dhe monitoruar realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, si pjesë e rrugëtimit drejt integrimit në BE.
Top Channel