Në gusht eksportet shqiptare morën goditjen më të fortë që nga periudha e pandemisë. Ato u tkurrën me gati 22%, ndërsa vlera e tyre arriti në 27 miliardë lekë.

Grupet me tkurrjen më të fortë ishin materialet e ndërtimit, metalet si dhe tekstilet dhe këpucët. Sipas INSTAT dy faktorët më të rëndësishëm në këtë tkurrje kaq të fortë ishin zhvlerësimi i euros dhe konjuktura e çmimeve ndërkombëtare. Në tregje çmimet e lëndëve të para janë ulur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë.

Ndërkohë gjatë gushtit tkurrje ka pësuar edhe grupi i produkteve ushqimore, që në 7 muajt e parë të vitit ishin të vetmit që mbajtën ecurinë pozitive.

Eksportet arritën të mbanin ecuri pozitive vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, ndërsa në total në 8 mujor tkurrja e tyre është me 8%.
Edhe importet kanë pasur një perfomancë negative gjatë gushtit me rënie 15%.

Vendi ka marrë më pak minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike. Pozitiv në rritjen e importeve ishin vetëm makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit.

Sa i përket partnerëve tregtarë, në gusht Shqipëria rriti në mënyrë të ndjeshme eksportet në Kosovë dhe Greqi, ndërsa i ka ulur me partnerët tradicionalë si Italia dhe Gjermania.

Kosova pas masave bllokuese ndaj Serbisë ka gjetur gjithmonë e më shumë hapësirë në tregun shqiptar. Ndërkohë në këtë tetëmujor kemi marrë më shumë mallra nga Kina dhe Gjermania.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA