Akuza për abuzim seksual në Kishën Katolike, hetimet nisin 30 vite pas vdekjes së peshkopit

19/09/2023 22:48

Hetime për abuzim seksual kanë nisur ndaj ish-peshkopit të Essenit dhe një nga teologëve më të famshëm të Gjermanisë së pasluftës, kardinali Franz Hengsbach.

“Peshkopi Franz-Josef Overbeck ka urdhëruar një hetim të detajuar mbi akuzat serioze për abuzim kundër peshkopit të parë të Dioqezës së Essenit, Franz Hengsbach, në periudhën nga vitet 1950 deri në vitet 1970”, njoftoi Dioqeza e Essenit.

Një hetim i brendshëm nisi pasi një person kontaktoi dioqezën në tetor të vitit të kaluar duke pretenduar se peshkopi Hengsbach kishte abuzuar seksualisht me të në fund të viteve ’60.

Pas një kontrolli në dioqezën e Paderbornit, ku Hengsbach, i cili vdiq në vitin 1991, ishte aktiv para se të shkonte në Essen, u mësua se ai ishte denoncuar në vitin 2011 për abuzim seksual me një të mitur në vitet 1950, raporton taz.de.

Ai rast u raportua në Kongregacionin për Doktrinën e Besimit në Vatikan në të njëjtin vit, i cili i hodhi poshtë akuzat si të pabaza.

Sipas informacioneve nga dioqeza e Paderbornit, ka raportime për abuzim seksual të një të mituri ndaj vëllait të peshkopit Hengsbach, Paul, i cili është gjithashtu prift.

Peshkopi aktual, Overbeck u bëri thirrje viktimave të tjera të mundshme të abuzimit që ta raportojnë atë në dioqezë.

Vitet e fundit, priftërinjtë e Kishës Katolike Gjermane janë vënë nën sulmin e shumë akuzave për abuzim seksual të të miturve. Këto skandale shkaktuan edhe largime të shumta të besimtarëve nga bashkësitë kishtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA