Kanë dalë sot para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë nëntë personat e arrestuar në Elbasan në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” kundër narkotikëve që u shtri në disa qytete.
Gjykata e Elbasanit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 9 personat e arrestuar në qarkun e Elbasanit në kuadër të operacionit policor të koduar “Tempulli”.
Ishte prokuroria e cila kërkoi “arrest me burg“ për 9 personat e akuzuar për trafik të lëndëve narkotike, mes tyre edhe një punonjës policie i komisariatit të Cerrikut.
Top Channel më herët siguroi, nga burime zyrtare të Prokurorisë së Elbasanit, dosjen e hetimit, sipas të cilës, trafikantët u futën në kurth nga agjenti i infiltruar.
Me emrin e koduar Koli, agjenti blinte lëndë narkotike, prej personave tashmë të arrestuar, lëndë e cila, pas analizimit rezultoi të ishte kanabis dhe kokainë.
Prokuroria ka dokumentuar të gjitha bisedat e kryera mes agjentit dhe trafikantëve, gjithashtu edhe pamjet filmike të dorëzimit të mallit.
Arrestimet janë kryer në Cerrik, Librazhd dhe Elbasan, ndërkohë 5 persona janë shpallur në kërkim.
Top Channel