Operacioni “Tempulli”/ Lihen në burg dhjetëra persona në Durrës, Fier, Vlorë dhe Korçë, detyrim paraqitje për disa të tjerë

17/09/2023 18:00

Dhjetëra persona të arrestuar nën akuzën për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike janë njohur këtë të diel me masën e sigurisë në Durrës, Fier, Vlorë dhe Korçë.

Gjykata ka caktuar masën për disa nga 233 të arrestuarit gjatë operacionit “Tempulli”, që u zhvillua me qëllim ndalimin e shitjes së drogave pranë shkollave.

Në Gjykatën e Durrësit përfundoi pas rreth shtatë orësh rivlerësimi i masës së sigurisë për 30 të arrestuarit në kuadër të operacionit antidrogë “Tempulli”. Për 26 persona gjykata ka rikonfirmuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për dy “detyrim paraqitje” dhe dy të tjerë “Arrest shtëpie”. Seancat u zhvilluan me dyer te mbyllura, ndërsa të arrestuarit për shkak të numrit të madh mbërritën në gjykatë me një autobus dhe nën masa të larta sigurie.

Mbrojtja e tyre ka pretenduar se të arrestuarit janë përdorues të lëndëve narkotike dhe janë arrestuar në bazë të provokimeve të bëra nga ana e të infiltruarve të policisë. Pati të arrestuar që u mbrojtën në seancë me avokatë të caktuar kryesisht, ndërsa familjarët e tyre kanë pritur jashtë dyerve të gjykatës për orë të tëra vendimin e gjyqtarit të seancave Shkëlzen Liçaj. Një nga të arrestuarit, Nurjan Halilaj nuk u paraqit në seancë pasi prej dy javësh ndodhet në spital pas një aksidenti automobilistik.

Nga ana tjetër në Gjykatën e Vlorës 15 persona të arrestuar gjatë operacionit janë lënë në arrest me burg. Ndërkohë, gjykata vendosi lehtësim të masës së sigurisë për pesë të tjerë. “Arrest shtëpie” u vendos për shtetasit Shkëlqim Bakaj, Fatmir Alikaj, Julian Shabani, Eriselda Zekaj, Nikola Selimaj.

Gjyqtari i çështjes Hektori Sinani ka pranuar kërkesën e prokurorit Anton Pali për masë sigurie “arrest me burg” për 13 persona. Ai tregon se për dy gratë është dhënë masa e sigurisë “arrest shtëpie” për shkak të situatës së tyre, pasi kanë fëmijë të vegjël. Ndërsa për tre persona te tjerë masa është ndryshuar për shkak të moshës. Sipas avokatit ata nuk pranojnë që janë shitës, por pranojnë që janë vetëm përdorues.

“Arrest me burg” ka vendosur Gjykata e Fierit për një nga katër shtetasit që u arrestuan pak ditë më parë nga uniformat blu. Një nga të arrestuarit nuk është paraqitur në seancë, ndërsa për një tjetër u vendos masa “detyrim paraqitje”. Të arrestuarit janë Jaho Nuhu, Armando Smaka, Franko Stolla dhe Odisea Veliu.

Edhe në Korçë, gjykata vlerësoi të ligjshëm arrestimin dhe vendosi të lërë në burg 12 të arrestuar. Në total, janë 25 të arrestuar nga operacioni “Tempulli” në Korçë dhe të gjithë janë lënë në burg.  Përgjatë dy ditëve në gjykatë janë zhvilluar seancat për të gjithë të arrestuarit për të cilët organi i akuzës ka kërkuar të lihen në masën e sigurisë arrest në burg çka është pranuar edhe nga gjykata.

Një ditë më parë, Top Channel zbardhi detaje nga dosja e përgjimeve për megaoperacionin e Policisë së Shtetit “Tempulli”, ku 3000 forca policie u angazhuan për arrestimin e mbi 233 personave në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA