Gjenerali ukrainas: Fshati Klishchiivka pranë Bakhmutit është çliruar

17/09/2023 20:51

Gjenerali në krye të forcave tokësore të Ukrainës tha të dielën se trupat ukrainase kishin rimarrë fshatin lindor Klishchiivka në krahun jugor të Bakhmut-it, të pushtuar nga agresori rus në janar.

“Klishchiivka u pastrua nga rusët dhe u çlirua”, tha komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Alexander Syrskyi, në një postim në aplikacionin e mesazheve Telegram. Ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, gjithashtu konfirmoi në rrjetin Telegram se fshati u rimor pas luftimeve të ashpra. Agjencia e lajmeve Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte njoftimet nga fusha e betejës.

Fshati Klishchiivka është rreth nëntë kilometra në jug të Bakhmut-it dhe para luftës kishte një popullsi prej rreth 400 banorësh. Ai fshat ndodhet disa kilometra në veri të Andriivka-s, e cila u rimor në fillim të kësaj jave. Të dy fshatrat janë shkatërruar nga luftet disa mujore për marrjen e kontrollit të Bakhmut-it.

Shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, publikoi të dielën një foto në rrjetin Telegram ku shihen pesë ushtarakë ukrainas me flamuj kombëtarë dhe ushtarakë në duar përpara një ndërtese të shkatërruar. Ai shkruante se Ukraina gjimonë i merr territoret e veta.

Ushtria ukrainase tha më herët të dielën se trupat e Kievit “arritën sukses në lokalitetin Klishchiivka të rajonit Donetsk, duke e detyruar armikun të largohej nga pozicionet e tyre”. Qyteti Bakhmut ra në duart e rusëve në maj pas muajsh luftimesh të ashpra. Prej disa muajsh, forcat ukrainase kanë kryer sulme në veri dhe në jug të qytetit për të dëbuar agresorët rusë.

Analistët ushtarakë ukrainas thanë këtë javë se çlirimi i zonave pranë Bakhmut-it do të mundësonte përparimin e ushtrisë nga krahu jugor në zonën e Bakhmut-it, duke marrë kontrollin e pozicioneve në lartësitë përreth zonës./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA