Kohët e fundit mjekët psikiatër japin alarmin për të rinjtë që punojnë natën, të cilët për të rritur performancën në punë konsumojnë substanca të ndaluara narkotike.
Ekspertët shprehen se drogërat mund të të rrisin përqendrimin, por hapin shtegun për probleme të shëndetit mendor.
“Duke nisur nga përvoja ime dhe praktika e punës së përditshme, kam trajtuar shumë raste të të rinjve, student kryesisht, të cilët nga stresi I madh I janë drejtuar abuzimit me substanca, apo trajtohen në spitalet psikiatrike. Vitet e shkollës I zgjasin shumë, pra nëse një program universitar është 3-4 vjet, ata i çojnë deri në 8 vjet.
Kjo pasi një pjesë e tyre të detyruar nga kushtet e pakta ekonomike në familje, detyrohen të punojnë dhe të studiojnë njëkohësisht dhe për shkak të ngarkesave të mëdha që kanë duke mos I përballuar të dyja, kalojnë në këto mënyra. Pjesa më e madhe, unë kam vënë re që i drejtohen hashashit apo kokainës. Mund të përdorin xanax, këto që ne mjekët rekomandojmë për trajtimin afatshkurtër të ankthit.
Ata i përdorin për një kohë të gjatë, kalojnë masën dhe më pas bëhen të varur nga anksiolitikët. Ka nga ata që mundohen t’ja mbushin mendjen mjekut se hashashi është shumë i mirë dhe falë tij ata punojnë pa u lodhur, u rrit inteligjencën dhe përqendrimin. Por kjo është totalisht e gabuar. Droga të jep eufori dhe fuqi për momentin, por i hap rrugën sëmundjeve të shëndetit mendor. Ankohen për pagjumësi, gjendje ankthi, mërzitje e thellë. Ka nga ata që nuk dalin për ditë me radhë nga shtëpia, apo kam parë raste të abuzimit me doza të mëdha alkooli”, tha Valentina Asabella, Mjeke Psikiatre, Drejtoreshë e Qendrës së Shëndetit Mendor Nr. 3, Tiranë.
Top Channel