“Mall i mirë ai lal, mbaji içik erë”/ Zbardhet dosja e përgjimeve! Nga kanabisi tek kokaina, si ranë në ‘rrjetën’ e agjentit “K” shpërndarësit në Elbasan

16/09/2023 18:31

Zbardhet dosja e 45 të arrestuarve gjatë megaoperacionit “Tempulli” në Elbasan. Në materialet e siguruara nga Top Channel, shihet se si agjenti “K” identifikon dhe “piketon” një nga një shpërndarësit e kanabisit dhe të kokainës në rrethinat e qytetit.

“Më 9 shtator rreth orës 12.45 agjenti në mbulim ka shkuar në rrugën që të dërgon në “Llixha” dhe ka ndaluar në afërsi të lavazhit “Çoku”. Pranë tij është afruar shtetasi E.K. Ky i fundit pasi ka biseduar për pak sekonda me agjentin e autorizuar i ka dhënë diçka në dorë dhe është larguar në drejtim të lavazhit”- thuhet në dosjen hetimore.

Sipas verifikimeve, qeska kishte në brendësi 2.22 gramë kanabis, e cila u sekuestrua nga Policia gjyqësore në cilësinë e provës materiale.

Nga procesverbali i transkriptimit të bisedave të përgjuara mes agjentit “K” dhe shtetasit E.K. në vende publike, ka rezultuar në këto komunikime:

E.K: Ktu ke 10-çen?

Agjenti “K”: Ti mos e mçif, ti lene me i ven që të duket.

E.K: Ke katër-pesë cigare të mira lale.

Agjenti “K”: E po m’pëlqeu mua imen?

E.K: Është i mir ai lal, maj içik er maj.

Në një tjetër audio-përgjim të megaoperacionit “Tempulli”, i cili fundosi shpërndarësit e drogës në qytetin e Elbasanit, shihet se si agjenti “K” ka shtënë në rrjetë një tjetër trafikant me inicialet F.B..

Nga procesverbali mbi veprimet e vëzhgimit të fshehtë të datës 12 shtator, të cilit Top Channel i referohet, thuhet se “rreth orës 18:40 agjenti në mbulim/i autorizuar, ka shkuar në afërsi të kryqëzimit të rrugës Cerrik-Gostimë me rrugën “Pazhoku””, ku i është afruar shtetasi F.B..

“F.B. ka ndaluar në krah të rrugës, ka zbritur nga automjeti” dhe ka zhvilluar një bisedë disa sekonda me agjentin e infiltruar ku ka tentuar t’i shesë qesen me 0.23 gramë kokainë. Me t’i lënë “mallin” në dorë, F.B. është larguar në drejtim të rrugës Cërrik-Belsh.

Nga audio-përgjimet e transkriptuara vihet re biseda rreth cilësisë së “mallit” e bërë nga agjenti “K” dhe shtetasi F.B..

Agjenti “K”: Po kshu për bidon del kjo?

F.B: Nuk e kam provu po besoj se po.

Agjenti “K”: Desha bjer edhe një zero dyshe mu.

F.B: Ok se gati e kam unë ja sa ti jap lekët e kafes.

Agjenti “K”: A i do lekët ti jap?

F.B: Po jo e s’ka gja.

Një tjetër situatë ka ndodhur në datën 8 shtator, rreth orës 15:15, në afërsi të kryqëzimit të Cërrik-Elbasan. Agjenti “K” ka ndaluar në parkimin e një pallati në rrugën “Çajupi”.

Pas rreth 5 minutash pranë tij është afruar shtetasi Ervis Duzha dhe pasi kanë biseduar për pak sekonda, ky i fundit i ka dhënë një paketim me 0.58 gramë kokainë dhe më pas është larguar në drejtim të pallatit.

Nga procesverbali i transkriptimit të audio-përgjimit, palët kanë diskutuar me njeri-tjetrin për cilësinë e mallit si vijon:

Agjenti “K”: O Ervis hë o la?

Duzha: Ça ban?

Agjenti “K”: Bjer i gjysëm mu, e po shiko të jet për bidon. E mirë është?

Duzha: E mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA