Kokaina bëhet së shpejti eksporti më i madh i Kolumbisë, duke lënë prapa naftën (fotot)

16/09/2023 16:32

Kokaina bëhet së shpejti eksporti ‘numër 1’ i Kolumbisë duke lënë prapa naftën, teksa prodhimi narkotikëve vijon zgjerimin pas një qasjeje disi të butë të qeverisë në lidhje me drogat, shkruan rrjeti amerikan Bloomberg.

Zhvillimi vjen gjithashtu prej rënies së eksporteve të naftës me rreth 30% në gjysmën e parë të këtij viti, dhe rritje të tregtisë ilegale në të njëjtën periudhë. Kjo bën që vitin që vjen droga të jetë eksporti kryesor i vendit, sipas ekspertit Felipe Hernandez.

“Llogarisim se të ardhurat nga eksporti i kokainës arritën në $18.2 miliardë në 2022 — shumë afër shifrës prej eksporteve të naftës që vitin e kaluar arrinin në $19.1 miliardë,” shkruan Hernandez.

“Qeveria ka qenë duke shkatërruar laboratorët e përpunimit të gjetheve të kokas por kjo nuk ka ndaluar zgjerimin e prodhimit të kokainës”.

Prodhimi total vjetor i kokainës në Kolumbi llogaritet tashmë në 1,738 ton, kurse masa e tokës së mbjellë më koka pësoi vitin e kaluar një rritje me 13% në mbi 200,000 hektarë, sipas zyrës së OKN për drogat e krimin.

Hernandez shtonte se rritja e prodhimit të kokainës ka vetëm efekt afat-shkurtër në aktivitetin dhe trafikun e saj, apo në performancën e valutës kolumbiane peso.

Presidenti i majtë Gustavo Petro, po tenton të ndryshojë qasjen kundër trafikut të drogave duke tentuar sipas tij të godasë krerët e trafikut dhe jo kultivuesit e thjeshtë, që janë më të dobëtit në zinxhirin e prodhimit.

Petro thotë se ka hyrë në negocjata me grupet kryesore të trafikut në vend me shpresë të gjejë një marrëveshje për konfliktin e gjashtë dekadave me grupet rebele të ekstremit të majtë.

FOTO GALERI
1/3
Prodhimi total vjetor i kokainës në Kolumbi llogaritet tashmë në 1,738 ton

Top Channel