Banorët e pesë fshatrave të njësisë administrative Suç të Klosit, vazhdojnë rezistencën e tyre duke protestuar, për ndalimin e ndërtimit të dy hidrocentraleve në përroin e Lusës, i cili rrjedh nga liqeni i Balgjait.
“Këtu po na bien në qafë disa kompani fantazmë për ujin vaditës që kemi. Me zor po jetojmë në këtë fshat. Nëse merret ky ujë, është marrë jeta e të gjithë fshatit”, ka thënë një banor.
Në këtë zonë janë parashikuar të ndërtohen dy HEC-e; “Lusa 1” dhe “Lusa 2” që do të kenë në total, kapacitet prodhues prej 6 megavatësh. Leja për ndërtimin e tyre është dhënë që në vitin 2017 e që prej asaj kohe e deri më tani banorët protestojnë kundër ndërtimit të tyre. Sot ata ngritën shqetësimin se po tentohet tu marrin firmat familjarëve me çdo kusht, që të lejojnë ndërtimi i HEC-eve.
“Kanë filluar të kërkojnë firma fshehurazi, që ta dinë se ne jemi prapë kur të duan në ndihmë, por ata nuk kanë moral. Kanë filluar të mbledhin firma që para disa ditësh, por nuk kanë mundur të mbledhin”, tha një banor tjetër.
Fshatrat që preken nga një investim i tillë janë: Kurdari, Skënderaj, Kurqelaj, Suç dhe Kujtim, pjesë e bashkisë së Klosit. Sipas banorëve, nëse këtyre fshatrave iu ikën uji, ato kthehen në shkretëtira të pajetueshme dhe i bëjnë thirrje autoriteteve lokale e qendrore t’i mbështesin.
“Prej kohësh jo sot, quhej “Hambari i Matit” sepse ka në krye të saj pasurinë më të vlefshme që ka bujqësia, ujin vaditës. Nëse ikën ky ujë do të thotë që edhe ne si popull që jemi këtu, do ta braktisim këtë vend sepse s’ka ujë, s’ka bukë, s’ka bagëti. Ne e dimë që shteti përfaqësohet nga parlamentarët, kemi deputetë, kemi qeveritarë që përfaqëson këtë popull. Ata duhet të zgjidhin hallet tona”, u shpreh një banor tjetër.
Koncensionet për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël, shpesh të miratuar pa konsultim me komunitetin në përrenj që shërbejnë për vaditje dhe ujë të pijshëm, kanë krijuar përplasje të dhunshme në vend, midis banorëve vendas dhe ndërtuesve.
Top Channel