25 vite më parë selia e qeverisë shqiptare u pushtua dhe për disa orë qeveria ishte jashtë funksionit. Më 14 shtator të vitit 1998 në bulevard kalonin tanke që ishin marrë nga protestues dhe mbështetës të Partisë Demokratike, dhe qëllohej me armë kundër ndërtesës së kryeministrisë. 

Mediat botërore e ndoqën lajmin dhe e raportuan atë si një grusht shteti të mirëfilltë. Në fakt ngjarja kishte të gjitha elementet e një grushti shteti. Njëherësh me kryeministrinë, persona të armatosur morën nën kontroll edhe Radio Televizionin Shqiptar.

Gjithçka erdhi pas zemërimit që shpërtheu nga vrasja e ish deputetit, Azem Hajdari më 12 shtator të vitit 1998.

Tirana kaloi orë të vështira për gjatë gjithë datës 14 dhe nuk dihej se si do shkonin ngjarjet nëse nuk do ishte ndërhyrja e diplomatëve amerikanë. Të paktën kështu u shpjegua në atë kohë tërheqja e njerëzve të armatosur, dorëzimi i tankeve që ju rrëmbyen gardës së republikës.

Kjo tërheqje i dha zemër një pjese të Policisë së Shtetit, e cila u riorganizua në periferi të qytetit dhe gjatë pasdites e gjatë darkës nisi të marrë nën kontroll institucionet shtetërore.

Pas 14 shtatorit nisi një kalvar gjyqesh të cilat u zvarritën dhe nuk treguan se kush ishin organizatorët dhe ekzekutoret e këtij grushti shteti.

Kronologjia e ngjarjeve?!

Ishte data 12 kur u vra Azem Hajdari, që solli ngjarjet e 14 shtatorit. Ceremonia mortore e deputetit demokrat që u bë më 14 shtator u kthye në një kryengritje të armatosur.

Simpatizantë të irrituar  dhe përkrahës të liderit të dhjetorit Azem Hajdarit, morën arkivolin dhe nuk u nisën në drejtim të rrugës së Kavajës për në varreza, por morën drejtimin e Bulevardit, që të kalonin para Kryeministrisë. Kur kortezhi po i drejtohej Kryeministrisë, njëkohësisht u sulmuan dy reparte ku nga grupe të ndryshme të cilët morën armë e granata, dhe “pushtuan” Parlamentin. E njëjta gjë ndodhi më pas edhe me Ministrinë e Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese dhe Ministrinë e Financave. Sërish u sulmua Kryeministria, e në këtë gjendje, ministri i Brendshëm Perikli Teta urdhëroi nxjerrjen e tankeve.

Edhe pse për vite me radhë, Prokuroria këmbënguli se Kryeministria dhe institucionet e tjera shtetërore u sulmuan në mënyrë të organizuar, në përfundim ajo nuk ia doli mbanë të provojë akuzat e saj ndaj 20 të dyshuarve për kryengritje të armatosur, thënë ndryshe grusht shteti.

Edhe pas 25 vite nga gjunjëzimi i shtetit shqiptar gjatë trazirave të 13 dhe 14 shtatorit 1998, të ndodhura menjëherë pas vrasjes së Azem Hajdarit, drejtësia shqiptare ende nuk ka një version përfundimtar se çfarë ndodhi realisht gjatë atyre dy ditëve të kulmuara më 14 shtator.

 

 

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA