Këto pamje vijnë nga pallati 10-katësh në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë i cili u përfshi nga flakët mesditën e sotme.
Sikurse duket nga pamjet, gjithçka brenda banesës është shkrumbuar dhe dyshemeja është mbuluar nga uji që ka shuar zjarrin.
Sipas drejtorit të zjarrfikëses në Tiranë, situata po normalizohet dhe fatmirësisht nuk ka banorë të lënduar. Ende nuk dihet sesi u shkaktua zjarri dhe nga ku nisi që u përhap më pas në disa apartamente dhe dogji fasadën e jashtme të pallatit të ri.
“Në këto momente nuk mund të flasim për shkakun e zjarrit dhe rezultatet përfundimtare. Do jemi të gjithë këtu deri në përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe deri sa të sigurohemi që nuk kemi humbje jete qytetarësh. Zjarri ka qenë i shtrirë në pjesën e jashtme të objektit, dyert janë të blinduara. Të dëmtuara janë vetëm banesat që janë hapur dritaret.
Është dëmtuar fasada e objektit. Zjarret në pallate në Tiranë ndodhin në një banesë dhe në 0.5% të rasteve kur zjarri ka kaluar nga një banesë në tjetër. Ky rast ishte i rrallë dhe ka bërë që këtu të mblidhen të gjithë punonjësit e zjarrfikësit, Tiranës, Vorës dhe Kamzës. Është dashur një kohë e gjatë për të vënë në kontroll. Fasada e objektit e ka përhapur zjarrin. Nuk kemi zjarrfikës të dëmtuar. Situata e zjarrit është nën kontroll. Zjarri ka qenë në katin e dytë të objektit dhe në pjesën e sipërme, por kjo mbetet për tu parë sesi është përhapur zjarri.”-deklaroi Shkëlqim Goxhaj.
Top Channel