Pas lajmit të transmetuar nga Top Channel se fëmijët e fshatit Mali Kolaj, prej 3 ditësh, zhvillojnë mësim në oborrin e shkollës, kryetari i Bashkisë Shkodër, Beneti Beci, ka zhvilluar një takim me prindërit.
Ai ka vendosur që shkolla të mos mbyllet dhe bashkia do të zgjidhë mosmarreveshjen me pronarin e tokës, ku ndodhet shkolla. Beci thotë se shkolla do të qëndrojë e hapur dhe femijët nuk do të transportohen në asnjë godine tjetër.
“Sot jam njohur me shqetësimin e banorëve të fshatit Mali Kolaj në Njësinë Administrative Velipojë për rrezikun e mbylljes së shkollës. Përballë kësaj situate, së bashku me Drejtoren e ZVA Shkodër, drejtues të bashkisë dhe Njësisë Administrative, zhvilluam një takim me komunitetin, duke gjetur edhe zgjidhjen për këtë çështje kaq të ndjeshme për banorët dhe fëmijët e kësaj zone.
Pas diskutimeve me banorët është rënë dakord që shkolla do të qëndrojë e hapur dhe fëmijët nuk do të transferohen në një shkollë tjetër. I garantova banorët se jam palë me ta për këtë çështje kaq sensitive.
Kjo zgjidhje afatshkurtër do të pasohet me plane konkrete për një zgjidhje afatgjatë për fëmijët në këtë zonë.”-thuhet në reagimin e Benet Becit.
Prej 3 ditësh, nxënësit po zhvillojnë mësim në oborrin e shkollës për shkak se mes pronarit të godinës dhe bashkisë së Shkodrës, ende nuk është gjetur një marrëveshje.
Top Channel