Ekuipazhet e trageteve bojkotuan punën të mërkurën në mëngjes (13 shtator), duke nisur një grevë 24-orëshe me qëllim të shprehjes së solidaritetit me familjen e pasagjerit të mbytur nga kolegët e tyre në tragetin e linjës Horizonti Blu javën e kaluar.
Antonis Karyotis, 36 vjeç, u mbyt në portin e Pireut të martën e kaluar, pasi u shty në ujë nga tre anëtarë të ekuipazhit të tragetit, ndërsa përpiqej të hipte teksa trageti sapo ishte nisur për në Kretë.
Në një njoftim, Federata Panhelenike e Detarëve (PNO), dënoi incidentin dhe bëri me dije se veprimet e tre punonjësve në Horizontin Blu bien ndesh me standardet profesionale dhe morale të sektorit.
Policia po heton për rastin. Nga regjistrimet audio zbulohet se njëri nga anëtarët e ekuipazhit i akuzuar për shtyrjen e pasagjerit që më pas u mbyt në portin e Pireut pas ngjarjes i ka thënë kapitenit të tij: “Mendova se ishte i zi, pakistanez”.
Regjistrimet zanore, janë publikuar nga televizioni MEGA, dhe kapin dialogët midis kapitenit dhe ekuipazhit të tij në Horizontin Blu, pak pasi Antonis Karyotis u shty nga rampa e ngarkimit të anijes dhe u mbyt. Në audio, i ndjeri etiketohet si “budalla” nga ekuipazhi. “Mendova se ai nuk kishte biletë. Mendova se ai ishte i zi, pakistanez, sepse ai ishte atje dhe bënte ecejake përreth anijes. Por ai nuk na tregoi asnjë biletë. Gjithçka që ai më tha ishte ‘Unë do të udhëtoj për në Kretë’”, dëgjohet duke thënë në audio anëtari i ekuipazhit që e shtyu.
Top Channel