Gjermania “humb statusin”, KE i ul parashikimin e rritjes ekonomike për 2023!

13/09/2023 08:45

Gjermania, motori ekonomik i Europës, përjeton këtë vit recesionin me rënie të aktivitetit ekonomik me 0.4%, sipas parashikimeve të fundit të Bashkimit Europian.

Fillimisht mendohej se tkurrja do të ishte vetëm 0.2%. Por Komisioni thotë lufta e Ukrainës, dhe ndikimi i saj mbi çmimet e energjisë, i dhanë një goditje tejet të rëndë sektorit të prodhimit. Kërkesa e dobët duket po mban nën presion jo vetëm ekonominë gjermane, por edhe atë të eurozonës në tërësi, rritja e së cilës gjithashtu do të jetë me e ulët se parashikimet.

 “Eurozona pritet të rritet me 0.8% në 2023, kundrejt 1.1% që ishte llogaritur më parë. Kërkesa e dobët e brendshme, veçanërisht konsumi, tregon se çmimet e larta dhe gjithnjë në rritje të konsumit për shumicën e mallrave dhe shërbimeve po peshojnë më shumë sesa pritej. Një dobësim i mëtejshëm pritet në muajt e ardhshëm, pasi ekonomia përballet me shumë probleme”, tha komisionieri europian për ekonomikë Paolo Gentiloni.

Nënkryetari i Komisionit Valdis Dombrovskis nënvizoi po ashtu se ekonomia e bllokut pësoi dy goditje masive të njëpasnjëshme me pandeminë dhe luftën e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë. Pavarësisht faktit që aktiviteti ekonomik është ngadalësuar në të gjitha ekonomitë kryesore të eurozonës, Gjermania është e vetmja ekonomi e madhe që pritet të tkurret këtë vit, e goditur veç të tjerash edhe nga ngadalësimi i kërkesës në Kinë, një partnere tregtare kyçe e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA