Emigrantët sollën 444 milionë euro/ “Çunat e Londrës”, lumë parash drejt Shqipërisë

13/09/2023 14:51

Paratë që sjellin emigrantët në Shqipëri kanë shënuar një rekord historik, të paktën që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat nga Banka e Shqipërisë.

Në 6-mujorin e parë të vitit, remitancat arritën në 444 milionë euro, me një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Burime nga operatorët vendas të transferimit të parave thanë se Gjermania dhe Anglia janë korridore të reja, në raport me tradicionalet si Greqia, Italia apo Gjermania, dhe kanë një ecuri më të mirë në trendin e dërgimit të parave tek të afërmit e tyre në Shqipëri.

Të dhënat e tjera të Eurostat tregojnë se popullsia shqiptare që jeton jashtë vendit sa vjen e po rritet, çka po mban në këmbë dhe remitancat.

Sipas Eurostat, në vitin 2022 rreth 74 mijë shtetas shqiptarë morën leje qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, numri i lejeve është rritur me 34%.

Ndërkohë, kjo është shifra më e lartë e konstatuar që nga viti 2010, duke treguar qartë një tendencë të shtimit të personave që lënë vendin me synimin për të jetuar dhe punuar në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat më të hershme të Eurostat, vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë gjithsej 832 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë.

Kjo shifër është gati sa një e treta e popullsisë që raportohet se jeton në Shqipëri. Censi që do zhvillohet këtë vit do e tregojë saktë numrin e personave që kanë mbetur në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA