Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar një tjetër mesazh autoriteteve shqiptare në lidhje me rastin e kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, i cili mbetet në paraburgim.

Sipas Departamentit të Shtetit, qeveria amerikane pret që të ndiqet ligji në rastin e Fredi Belerit.

Në përgjigje të një pyetjeje të korrespondentëve grekë në Uashington, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit tha se “ne jemi në dijeni të rastit të ndalimit të Fredi Belerit dhe presim që autoritetet shqiptare të ndjekin një proces të rregullt sipas ligjeve të vendit”.

Fredi Beleri u arrestua në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve lokale dhe vijon të mbahet në burg edhe pasi doli fitues në garën e 14 majit, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje. Në pamundësi për të bërë betimin si kryebashkiak, Beleri akuzoi kryeministrin Rama si personin përgjegjës që pengon dhënien e lejes së veçantë që ai të kryej betimin. Sipas Belerit, nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij, pasi kjo do të përkthehej në kufizim të rëndë të të drejtave kushtetuese.

Kryeministri Rama vazhdimisht është shprehur se çështja Beleri i takon vetëm drejtësisë. Gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, ai tha se nuk ka asgjë për të diskutuar me palën greke në lidhje me këtë çështje sepse pala greke nuk dëgjon asnjë koment por vetëm këmbëngul duke rënë ndesh me ligjet tona.

Top Channel