Coco Chanel supozohet se me veshjet e produktet e saj ka ndihmuar në lirinë e shprehjes së grave, por duket se ka dhe një anë të errët që po lë në hije suksesin, thuhet në një dokumentar të ri të rrjetit britanik BBC.
Gabrielle Bonheur “Coco” Chanel konsiderohet një nga ikonat e modës së shekullit të 20-të me shpikjen e fustanit të vogël të zi apo dhe parfumit No.5 që mbahej nga Marilyn Monroe.
‘Coco’ dukej se gjithmonë udhëhiqte rrymat e stilit me fundet e thurura, varëset me perla dhe kostumet moderne, të cilat i dhanë pasuri e famë në të gjithë elitën perëndimore.
Por stilistja franceze akuzohet gjithashtu si kolaboracioniste e informatorëve e nazistëve gjatë Luftës II Botërore, çka ka sjellë kritika për hapjen e një ekspozite në nder të saj në Albert Museum në Londër.
Chanel ishte një figurë e komplikuar që vetëm tani po fillon të kuptohet, 52 vjet pas vdekjes në moshën 87 vjeçare. Për gjithë jetën ajo duhet të fshihte faktin që ishte një fëmijë i jashtëligjshëm, e rritur nga prindër të varfër ose në jetimore, duke gënjyer se babai i saj kishte ardhur në Amerikë për të kërkuar një jetë më të mirë.
Megjithse vuajtjet e kishin bërë një grua më të fortë e të vendosur ajo u përfshi në shumë lidhje me burra të ndryshëm gjatë jetës së saj.
Ajo u martua fillimisht me kompozitorin Igor Stravinsky por lidhja e saj me agjentin gjerman Hans Gunther von Dincklage gjatë kohës së luftës, e përfshiu në makinerinë naziste.
Biografja e saj Justine Picardie thotë se është e vështirë të lidhësh vitet e jetës së Coco pasi shumica e asaj që njihet, është e rreme.
Picardie thotë për BBC, se Chanel “lindi në një shtëpi të varfër, me nënën pastruese dhe babanë të varfër”.
“Pas vdekjes së të atit Chanel u dërgua në jetimoren Aubazine në jug të Francës, ku ajo duket se mori frymëzimin për veshjet e zeza që ngjanin me ato të murgeshave”.
Aty ajo mësoi të qepte gjatë ditës, ndërsa mbrëmjeve nisi të këndonte në kabare për ushtarakët.
Lidhja e saj me sportistin e pasur anglez Arthur Capel, bëri që ai ta vendoste në një apartament në Paris dhe të financonte dyqanet e saj të para të veshjeve.
Capel vdiq në një aksident në 1919 ndërsa biznesi i modës së Chanel nisi të lulëzonte teksa deri në vitin 1927 ajo kishte disa shtëpi e dyqane në Paris.
Gruaja tashmë e pasur, trajtonte keq stafin e saj deh kur nazistët pushtuan Francën në 1940, ajo mbylli dyqanet dhe shkarkoi nga puna më shumë se 1,000 gra rrobaqepëse.
Teksa nazistet sekuestruan pronat e hebrenjve Coco gjeti mundësinë të niste biznesin e parfumeve, duke u afruar me stabilimentin nazist dhe duke u bërë shitësja e vetme e parfumit No.5.
Autori Hal Vaughan e quan atë “antisemite” që lavdëronte Hitlerin.
Më vonë një lidhej romantike me një oficer të latë gjerman bëri që ajo të vendosej në Hotel Ritz në Paris, duke u bërë pjesë e shoqërisë së lartë naziste.
Në librin e tij “Lufta sekrete e Coco Chanel” Vaughan shkruan se ajo përfshihej në misionet naziste dhe kishte një numër të koduar agjenteje F-7124. Pas largimit të gjermanëve në 1944 ajo u mor në pyetje nga francezët por rrjedhimisht u la e lirë dhe u largua në Zvicër dhe punoi për të fshirë pjesën e errët të historise së saj.
Vaughan shkruan se ajo ka paguar shuma të mëdha që një ish-oficer gjerman të mos denonconte aktivitetin e saj në librin e tij të kujtimeve, duke qëndruar e pakompromentuar.
Top Channel