Duke cituar aferat e dyshimta familjare, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, të Kongresit amerikan, Kevin McCarthy, njoftoi se ka udhëzuar një komitet të saj të nisë zyrtarisht hetimet për gjykimin e presidentit Joe Biden.
Nisja e procedurave në fjalë, që në anglisht njihet si “impeachment”, vjen para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. McCarthy sqaroi se verifikimet e Komitetit për Mbikëqyrje i Dhomës së Përfaqësuesve kanë nxjerrë në pah deri tani një “kulturë të mirëfilltë korrupsioni” rreth familjes Biden, siç u shpreh ai. Republikanët janë duke hetuar mënyrën se si ka bërë biznes djali i presidentit, Hunter, para se Joe Biden të merrte detyrën e presidentit.
“Ka pretendime për shpërdorim pushteti, pengim drejtësie dhe korrupsion dhe këto gjetje kërkojnë një hetim të mëtejmë nga Dhoma e Përfaqësuesve. Kjo është arsyeja përse e udhëzova Komitetin të hapë një hetim zyrtar për shkarkimin e presidentit Joe Biden”, tha Kevin McCarthy, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Njoftimi i bërë nga McCarthy vjen në kohën kur ai vetë është përballur me një presion në rritje nga krahu i djathtë i partisë së tij që të ndërmarrë veprime ndaj Bidenit. Ai pritet të ketë disa takime gjatë kësaj jave me ligjvënësit, përfshirë edhe takime prapa dyerve të mbyllura për të diskutuar për shkarkimin e Bidenit.
Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar njoftimin për nisjen e hetimit si proces të motivuar politikisht. Hapja e hetimit për gjykim ndaj Bidenit, vjen në kohën kur ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili dy herë u gjykua por u lirua nga akuzat në Senat, po përballet tani me telashe serioze nëpër gjykata. Të dy ata, me shumë gjasë pritet të gjenden sërish përballë njëri-tjetrit në garën e fortë të presidencialeve 2024.
Top Channel