Foto ilustruese

Një nxënës i vitit të dytë në gjimnazin “Skënderbeu” në Krujë ka hedhur spraj me piper drejt bashkëmoshatarëve të tij.

Paraprakisht bëhet me dije se nxënësi i klasës XI e ka hedhur në korridorin e shkollës sprajin vetëmbrojtës dhe për pasojë disa nxënës  janë ndjerë keq.

Shërbimi shëndetësor ka shkuar në ambientet e shkollës, ndërsa tre nxënës, sipas burimeve vendore, janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Të tjerë po trajtohen në ambientet e shkollës.

Paraprakisht bëhet e ditur se produkti i përdorur nuk përmban kimikate agresive dhe as toksike, por ai jep acarim të syve, grykës dhe hundës, lot si dhe humbje të sensit të gjykimit kur bie në kontakt me të.

Gjithsesi po hetohet për të përcaktuar saktë llojin e produktit, ndërsa është identifikuar nxënësi që e ka përdorur dhe që pritet të japë shpjegime para policisë.

“Më datë 12.09.2023, në një gjimnaz në Krujë, një nxënës 16 vjeç ka hedhur në klasë, gjatë procesit mësimor, një sprajt me përmbajtje piperi, i cili si pasojë ka krijuar shqetësime te disa nxënës të klasës. Nxënësit po marrin ndihmën mjekësore në spitalin rajonal Krujë, ndërsa autori i dyshuar, së bashku me një 17-vjeçar, janë shoqëruar në komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, sipas policisë.

Ngjarja ka cenuar qetësinë dhe procesin mësimor në këtë fillim viti shkollor duke përhapur panik mes nxënësve, pavarësisht se produkti nuk është i jashtëligjshëm nga një vlerësim i parë që i është bërë. Paraprakisht dyshohet se gjimnazisti që e përdori e ka menduar si një “lojë” për bashkëmoshatarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA