Dekretet e ministrave të ri rinj janë miratuar sot në Kuvend gjatë një seance të posaçme plenare.
Propozimi i ministrave të rinj është bërë disa ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, ndërsa pas miratimit në Kuvend, ministrat e rinj do të betohen tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
Opozita kërkoi mbajtjen e një debati gjatë seancës, kërkesë e cila u kundërshtua nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Arbjan Mazniku i propozuar si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor mori 73 vota pro, 35 kundër dhe asnjë abstenim.
Albana Koçiu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale mori 73 vota pro, 1 abstenim dhe 32 kundër.
Igli Hasani, i propozuar nga Rama për pozicionin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme siguroi në Kuvend 74 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim.
Ogerta Manastirliu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Arsimit dhe Sportit mori 72 vota pro, 35 kundër dhe një abstenim.
Nga ana tjetër, Anila Denaj, e propozuar në pozicionin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit siguroi 73 vota pro, 27 kundër dhe asnjë abstenim.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u shkarkua me 95 vota pro dhe 1 kundër, ku deputeti Erion Braçe kundërshtoi shkarkimin. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shkarkua me 99 vota pro, 1 abstenim dhe 3 kundër.
Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca u shkarkua me 107 vota pro dhe asnjë kundër. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali u shkarkua me 102 vota pro dhe 4 kundër.
Ministrja e Shtetit, Milva Ikonomi u shkarkua me 98 vota pro, 2 abstenim dhe 2 kundër. Ervin Mete shkarkohet si anëtar dhe drejtor i AMF-së me 95 vota pro, 1 abstenim dhe 5 kundër.
Ndër emrat e propozuar nga Rama, të cilët nuk u votuan sot në seancën e posaçme, janë Ervin Mete, i cili pritet të drejtojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Delina Ibrahimaj, e cila pritet të marrë pozicionin e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Ministrat që pritet të marrin detyrën dhe ata që largohen:
Ministri i Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale – Emërohet Albana Koçiu; Largohet Ogerta Manastirliu
Ministri i Arsimit dhe Sporti – Emërohet Ogerta Manastirliu; Largohet Evis Kushi
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme – Emërohet Igli Hasani; Largohet Olta Xhaçka
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit – Emërohet Anila Denaj; Largohet Frida Krifca
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor-Emërohet Arbjan Mazniku
Ministri i Shtetit për Standardet dhe Shërbimet (Shkrihet) – Largohet Milva Ekonomi.
Top Channel