Ajo që ka ndodhur pasditen e së hënës në zonën Lutsa në lindje të Athinës konsiderohet si ngjarje terrori pa precedent.
Gjashtë persona, janë ekzekutuar brenda një makine me targa gjermane false. Në fillim autoritetet greke dyshuan se të ekzekutuarit në zonën Luktas në lindje të Athinës, ishin shtetas shqiptarë me origjinë rome, por pas veprimeve hetimore të mëtejshme, u zbulua se viktimat i përkisnin nënshtetësisë turke.
Policia e alarmuar ka mbërritur në vendngjarje e lajmëruar nga banorët e terrorizuar të zonës, të cilët dëshmojnë se kanë dëgjuar mbi 150 të shtëna armësh me një interval të shkurtër pushimi në fund.
Aty policët kanë gjetur të vdekur tre persona në sediljen e pasme, një në atë të pasagjerit përpara dhe dy të tjerë jashtë makinës së markës “Ford”, të shtrirë në një pellg gjaku, të gjithë të qëlluar nga afër me të paktën 25 plumba.
Autorët duket se i kanë sjellë viktimat në një takim në vendin e ngjarjes dhe më pas i kanë zënë në befasi duke i ekzekutuar dhe sipas dëshmive të para janë larguar me një makinë luksoze dhe një motoçikletë.
“U dëgjuan shumë të shtëna armësh, nuk e di se sa por duhet të ishin armë automatike. Dhe ndodhi shumë shpejt. Duhet të ketë qenë nga të dy palët shkëmbimi i zjarrit. Padyshim që u terrorizuam nuk mund ti afroheshim zonës që në fillim“, tha një banor.
Rreth tre orë më vonë pasi kanë mbërritur mjekët ligjorë, trupat e viktimave janë çuar për analiza të mëtejshme ashtu si edhe dhjetëra gëzhoja të mbledhura që janë dërguar për analiza balistike në laboratorët e kriminalistikës së policisë greke.
Ekzekutimi ka ndodhur në një vend të veçuar, ç’ka u ka dhënë kohë autorëve të largohen. Policia ka dhënë urdhër pranë porteve dhe aeroporteve si dhe kufijve tokësorë të vendit që të kenë vigjilencë të shtuar për gjetjen e autorëve.
Hetuesit ndërkohë po përpiqen të identifikojnë viktimat dhe të konstatojnë nëse ka ndonjë përfshirje të tyre në akte kriminale dhe nëse janë të lidhur në ndonjë mënyrë me grupet e krimit. Hetohen përveç konfrontimit për pazaret e drogës, edhe pistat që urdhrin e ekzekutimit për larje hesapesh në mënyrë kaq barbare, ta ketë dhënë një prej personave më të përfolur të botës së krimit me origjinë shqiptare, që mbahet në burgjet greke.
Specialistët e kriminalistikës thonë se egërsia e ekzekutimit, tregon një plan veprimi të mirëorganizuar, nga vrasës profesionistë, të cilët kanë përfunduar një prej të ashtuquajturave kontrata të vdekjeve, por e tillë si kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në Greqi, theksojnë ata.
Top Channel