Hap dyert shkolla e re në njësinë 8, Veliaj: Tirana gëlon nga jeta

11/09/2023 15:22

Në ditën e parë të shkollës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi të gjithë nxënësit nga shkolla e re “Lekë Gjiknuri”, e cila hapi dyert sot për nxënësit e Njësisë 8.

Shumë faleminderit të gjithëve, por mbi të gjitha për ata që sot janë shqetësuar që kjo shkollë dhe 400 institucione të tjera të përfundojnë në kohë. Kam një falënderim nga zemra për ndërmarrjen tonë të Aseteve dhe Ndërtesave Publike, për kolegët që janë marrë me pastrimin, higjienën, dezinfektimin, dezinsektimin, deratizimin dhe një mirënjohje të jashtëzakonshme për inxhinierët dhe projektuesit, që kanë ndjekur detajet e fundit, që jo vetëm kjo shkollë, por edhe 9 të tjera, plus edhe 5 kopshte, të hapen në kohë, që Tirana të gëlonte nga jeta dhe hareja e fëmijëve”- tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se sot nis një fillim i ri për 170 mijë nxënës, të cilëve u uroi një sukses si ai i kombëtares së futbollit mbrëmjen e kaluar.

“Nëse kombëtarja e futbollit na jep gëzim dhe e ka fokusin te sporti, tek imazhi i vendit, kombëtarja e nxënësve, është një kombëtare që duhet të zgjidhë jo vetëm çështje të sportit, të flamurit dhe të dinjitetit kombëtar, por edhe çështje të ekonomisë, financave dhe çështje të turizmit e mjediset, për të cilat punoi aq shumë edhe profesori i nderuar Lekë Gjiknuri. Ndaj, për kombëtaren e 170 mijë nxënësve që kanë zbritur në fushë për fitoren e tyre, do duhet që të brohorasim po aq sa edhe për kombëtaren tjetër”– u shpreh Veliaj.

Një falënderim të veçantë kreu i Bashkisë e kishte edhe për të gjithë punonjësit me uniformë, që u kujdesën që dita e parë e mësimit të niste normalisht në të gjitha shkollat e vendit.

Top Channel