Vlora dhe Himara këtë vit të ri shkollor do të kenë më pak nxënës që ulen në bankat e klasës së parë dhe të dhjetë.
Sipas të dhënave nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar të bashkisë Vlorë-Himarë, vetëm dy ditë para fillimit të këtij viti të ri shkollor, janë regjistruar gjithsej nga klasa e parë e deri në të 12-tën, 12 mijë e 300 nxënës. Drejtorja e Zyrës Vendore Arsimore, bashkia Vlorë Himarë Irena Toshkallari detajon situatën.
Në klasën e parë rezultojnë të regjistruar 1007 nxënës nga 1068 që frekuentuan vitin e kaluar, pra 61 nxënës më pak. Në klasat e dhjeta janë regjistruar 1057 nxënës, 103 nxënës më pak se një vit më parë. Por pavarësisht kësaj, sipas kreut të Zyrës Vendore Arsimore nuk do të ketë shkurtim të stafit mësimor dhe as ulje të ngarkesës mësimore.
Sa i takon infrastrukturës së shkollave, probleme paraqet shkolla e fshatit Kërkovë, ndërsa 2 shkolla 9-vjeçare Lef Sallata dhe Avni Rustemi, do t’i nënshtrohen rikonstruksionit.
Top Channel