Lëvizja tjetër e Bashës/ Mblidhet Këshilli i Kombëtar i PD-së, zgjidhen strukturat drejtuese

09/09/2023 11:50

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur Këshillin Kombëtar të PD ditën e sotme, ku pritet të merren vendime të rëndësishme për drejtuesit e forumeve.

Lulzim Basha mblodhi Këshillin Kombëtar me qëllim zgjedhjen e strukturave të reja drejtuese, nga ku bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Gazment Bardhi, zhvishet nga të gjitha funksionet e mbajtura deri më tani.

Basha ia beson Enkelejd Alibeajt postin e sekretarit të përgjithshëm ndërkohë si nënkryetarë janë Flutura Açka, Kreshnik Çollaku, Orjola Pampuri dhe ish kandidati për bashkinë Tiranë Roland Bejko.

“Pas Kuvendit Kombëtar, numërimi mbrapsht ka nisur për të gjithë ne. Kemi marrë përsipër, sepse ua kemi kërkuar demokratëve, barrën e rëndë për të ndërtuar një aksion politik ku ndërthuret nevoja jetike për t’u ofruar shqiptarëve një opozitë ballore, jo selektive me të keqen, dhe një Parti Demokratike bashkohore, konkuruese dhe alternativë qeverisëse.  Sot formatojmë forumet, një hov i ri për të qenë alternativë Sot nis formatimi i forumeve statutore të partisë, duke i dhënë një hov të ri aksionit tonë politik, që për shumë gjatë u larga nga detyra jonë parësore, ajo e të qënurit në shërbim qytetarëve, të Shqipërisë e të demokratëve.”– tha Basha

Nga ky Këshill Kombëtar Lulzim Basha, mund të thuhet se ka surprizuar jo pak. Ka nisur e të mendojë për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme duke hequr dorë nga dorëzimi listës së kandidatëve për deputetë, në minutë të fundit siç ka ndodhur me PD në zgjedhjet e shkuara.

“Brenda 31 marsit të kemi gati 140 kandidatë për deputetë”- tha Basha.

Lulzim Basha komentoi edhe zgjedhjet e pjesshme lokale të 24 shtatorit në Kukës.

“Është hera e fundit që PD nuk ka kandidat për zgjedhjet Dëshmi e kostove që ngjarjet brenda nesh kanë prodhuar, janë edhe zgjedhjet e Kukësit. Ne respektuam vullnetin e Degës së Kukësit për të mos nxjerrë kandidat, sepse është dhe përgjegjësia jonë, e të gjithëve bashkë, që për një kohë të gjatë u morëm me luftën me njëri-tjetrin dhe jo me ringritjen dhe riorganizimin e partisë.“- tha Basha.

Ky organizim i PD nga Lulzim Basha me marshin e pestë, vjen vetëm një javë nga Kuvendi Kombëtar ku ai mori jo vetëm votëbesimin si kryetar por edhe të tjera fuqi drejtuese përmes ndryshimeve statutore.

FOTO GALERI
1/30

Top Channel