Eksportet shqiptare në rajon rriten me 72% në 4 vite/ Rama: Ngjitje drejt majës që synojmë të arrijmë në 2030

09/09/2023 17:06

Eksportet shqiptare në zonën e CEFTA-s janë rritur me 72 për qind në katër vitet e fundit.

Eksportet në gjashtë vendet e rajonit dhe në Moldavi janë rritur nga 398 milionë në vitin 2018 në 686 milionë në vitin 2022.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, thotë se ky fakt, është një tjetër shembull të qartë të ngjitjes së Shqipërisë në një nivel të ri, drejt majës ku synojmë të ngjitemi në 2030.


Shifrat e INSTAT zbërthejnë se me cilat vende të rajonit vendi ynë ka patur rritjen më të madhe.

Në vend të parë qëndron bosnjë Hercegovina me të cilën kemi pasur një rritje 58%. Drejt bosnjës shqipëria ka dërguar më shumë ushqime, materiale ndërtimi dhe tekstile.

E dyta për rritjen e vlerës së mallrave të dërguara është Maqedonia e Veriut me 56%. Në harkun e pesë viteve kemi një rritje me 7 herë për grupin e minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike.

Ndërkohë, Serbia qëndron e treta për vlerën e mallrave që Shqipëria dërgon tek vendet e rajonit, ndërsa rritja përgjatë pesë viteve ka qenë me 40%. Rritjen më të fortë e kanë materialet e ndërtimit dhe metalet.

Me Kosovën ndërkohë, Shqipëria ka volumin më të madh të eksporteve ku në 2018-ën e ka filluar në vlerën e 27 miliardë lekë mallrave, ndërsa në 2022-in shifra e eksporteve shënon 37.7 miliardë lekë apo thënë ndryshe një rritje me 30%.

Mali i Zi është i fundit për tregtinë rajonale. Nga 2018-ta rritja është me 25%, ndërsa grupi që ka dhënë më shumë ndikim është ai i energjisë elektrike.

CEFTA është një marrëveshje e nënshkruar në 2006-ën, që synon të rrisë tregtinë mes vendeve dhe të eliminojë barierrat. Në kuadër të kësaj marrëveshjeve shqipëria ka bërë një punë të mirë në drejtim edhe të eliminimit të kohës së vendqëndrimit të kamionëve në dogana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA