Ish-kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, do të heqë dorë nga vendi i saj në parlament, për t’u bërë këshilltare për një organizatë joqeveritare britanike.
Këtë lajm e bëri të ditur vetë ajo, duke shtuar se është emëruar këshilltare strategjike në Institutin për Ndryshime Globale.
“Do të mund të punoj për Finlandën në cilësi tjera. Kjo është një punë nga e cila besoj se do të përfitoj vendi im në përgjithësi”, u tha ajo gazetarëve.
Ish-drejtuesja deklaroi se do t’i këshillojë qeveritë dhe liderët e vendeve të ndryshme për çështje të politikave me të cilat është e familjarizuar.
E përshkruar nga mediat si “kryeministrja rokstar”, Marin ka dështuar që ta shfrytëzojë popullaritetin e saj për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme të Finlandës, të cilat i humbi gjatë prillit.
Ajo ka hequr dorë nga drejtimi i partisë dhe ka pranuar se mandati katërvjeçar si kryeministre e ka rënduar shumë, duke theksuar se durimi i saj është testuar në shumë raste.
Ndonëse shumë e famshme, Marin është përmendur edhe për disa skandale lidhur me jetën e saj private.
Në një video të përhapur në rrjetet sociale në gusht të vitit 2022, Marin është parë në një festë me shumë yje të Finlandës, dhe më pas është detyruar të kryejë teste për drogë, për t’i shuar dyshimet.
Top Channel