Speciet pushtuese të kafshëve dhe bimëve reduktojnë biodiversitetin, shkatërrojnë ekosistemet dhe kushtojnë shumë miliarda euro, konstatohet në një studim të ri. A ka zgjidhje?
Kur milingonat e zjarrit për herë të parë emigruan nga Argjentina në pjesë të tjera të botës, askush nuk mund ta imagjinonte dëmin e madh që do të shkaktonin këto kafshë të vogla. Anembanë botës, që nga Kina, Japonia, Australia e deri në SHBA, insektet e kuqërremta zhvendosën dhe vranë shumë kafshë vendëse, duke përfshirë edhe insekte të tjera që pjalmonin bimët vendëse. Milingonat hanë dhe dëmtojnë farat dhe në disa raste ato shkaktuan dëme të rënda në të mbjellat dhe ekosistemet.
Milingonat e zjarrit preferojnë klimë të ngrohtë dhe, për shkak të ndryshimeve klimatike, tani po depërtojnë edhe në rajonet që dikur ishin të ftohta. Në shumë vende, përpjekja për të parandaluar përhapjen e tyre ka ardhur shumë vonë dhe dështoi.
Milingona e zjarrit është bërë simbol i krizës që po afrohet, rreziqet dhe problemet e së cilës janë në fokus të raportit të botuar së fundmi në Platformën Ndërqeveritare Politiko-Shkencore mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit (IPBES).
Gjatë një periudhe prej katër vjetësh, 86 shkencëtarë nga 49 vende bashkuan gjetjet e tyre. Rezultati i kësaj pune ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe t’u japë vendim-marrësve mjete për të zbutur efektet e specieve pushtuese.
“Speciet aliene përbëjnë një kërcënim të madh për biodiversitetin dhe mund të shkaktojnë shumë dëme të mëdha në natyrë. Si për shembull, zhdukjen e specieve lokale dhe globale duke kërcënuar mirëqenien e njeriut,” thotë Helen Roy, njëra nga kontribuueset kryesore në raportin e IPBES dhe shkencëtare në Qendrën për Ekologji dhe Hidrologji të Mbretërisë së Bashkuar.
Të tilla “pushtime biologjike” kanë qenë faktori kryesor në 60 për qind të zhdukjeve të kafshëve dhe bimëve në botë, shton Anibal Pauchard, i cili është poashtu kontribues kryesor në raport dhe Profesor në Fakultetin e Shkencave Pyjore të Universitetit të Concepción në Kili. “Rreziqet dhe sfidat kanë rrënjë globale, por ato kanë një ndikim shumë lokal. Njerëzit në çdo vend dhe nga çdo klasë shoqërore përballen me të. Edhe Antarktida është e prekur.”
Ekonomia e globalizuar lehtëson pushtimet nga speciet
Ekosistemet janë përshtatur prej kohësh me migrimet natyrore të specieve bimore dhe shtazore. Por përhapja e specieve aliene është përshpejtuar me shpejtësi gjatë shekullit të kaluar, thotë Emili Garcia-Berthou, një profesore e ekologjisë në Universitetin e Gironas në Spanjë dhe një eksperte mbi ndikimin e specieve aliene në sistemet e ujërave të ëmbla.
“Ne transportojmë ushqime dhe mallra nga të gjitha anët e botës çdo ditë.” Përveç kësaj, njerëzit udhëtojnë dhe lëvizin shumë më tepër se në kohët e mëparshme, duke importuar edhe specie aliene.
Si rezultat, ekosistemet rajonale dikur të izoluara janë bërë gjithnjë e më të prekshme nga speciet aliene që zbojnë florën dhe faunën lokale, duke shkaktuar pasoja për shëndetin e njeriut: për shembull, speciet pushtuese të mushkonjave janë përgjegjëse për epidemitë aktuale të malaries në Bririn e Afrikës.
Si shkaktojnë dëme speciet pushtuese
Pas shkatërrimit të habitateve natyrore nga bujqësia dhe urbanizimi, speciet pushtuese janë shkaku i dytë më i madh i humbjes së biodiversitetit. Garcia-Berthou krahason dimensionin e këtij zhvillimi me efektet e ndryshimeve klimatike.
Sipas UNESCO-s, vetëm rreth 30 specie pushtuese kanë kontribuar në zhdukjen e rreth 738 specieve shtazore në mbarë botën. Në ishujt, të cilët janë strehë e një pjese veçanërisht të madhe të biodiversitetit të botës, deri në 86 për qind e rënies së specieve mund t’i atribuohet shfaqjes së specieve aliene.
Për shembull, në ishullin e Paqësorit, Tonga, minjtë e ardhur kanë pakësuar ndjeshëm popullsinë e zogjve të detit, sepse ata hanë vezët dhe zogjtë. Por zogjtë e detit shpërndajnë lëndë ushqyese të rëndësishme përgjatë brigjeve, duke përmirësuar kështu kushtet e jetesës së rezervave të peshkut. Qeveria e Tongës dhe komunat e prekura u përgjigjën duke i shfarosur me karrem helmues minjtë e pyllit më të madh të paprekur tropikal.
Sipas Garcia-Berthou, përhapja e peshqve mushkonja, të ardhura nga Amerika e Veriut ka patur një ndikim ekstrem në sistemet e ujërave të ëmbla në Evropën jugore. Për shembull, peshku çelik i Korfuzit, i cili është vendas në Greqi, është dëmtuar nga peshku mushkonjë, pasi ha vezët dhe larvat e peshqve vendas dhe kështu zhvendos peshkun e dhëmbëve. Por edhe kriza klimatike po e përshpejton përhapjen e peshqve mushkonjë ndërsa ujërat ngrohen, thotë ai.
Raporti aktual i IPBES hedh dritë gjithashtu mbi lidhjen midis ngrohjes globale dhe përhapjes së specieve pushtuese. “IPBES e ka bërë shumë të qartë se të gjitha vlerësimet janë në përputhje me ato të IPCC (Paneli Ndërqeveritar mbi Ndryshimet Klimatike – shënim i redaktorit) Janë të ndërthurura sepse nuk mund ta bësh vërtet njërën pa tjetrën”, thotë Corey Bradshaw, profesor i ekologjisë globale në Arc Centre of Excellence for Biodiversity and Cultural Heritage në Australinë e Jugut.
Bradshaw u përfshi në zhvillimin e një metode llogaritjeje për përcaktimin e dëmtimit të specieve pushtuese – kryesisht duke vlerësuar kostot e parandalimit dhe kontrollit. Sipas një studimi të vitit 2021 ku ai është bashkautor, midis viteve 1970 dhe 2017, janë shpenzuar rreth 1,18 trilionë euro për të parandaluar përhapjen e specieve pushtuese ose për të zhvendosur speciet aliene.
Në vitin 2017, kostot mesatare vjetore tejkaluan prodhimin e brendshëm bruto të 50 vendeve të kontinentit afrikan, ndërsa kostot e trajtimit dhe të zmbrapsjes së specieve aliene u trefishuan në dekadë.
Bari Gamba ndez zjarret në Australi
SHBA shpenzon më shumë para në botë për parandalimin dhe kontrollin e specieve pushtuese. Vendin e dytë e zë Australia, pasuar nga Kina dhe Kanadaja.
Kohët e fundit, qeveria australiane lëshoi fonde të mëdha për çrrënjosjen e barit të Gambës (Andropogon gayanus). Ajo u fut si ushqim gjedhësh në Australinë Veriore në vitet 1930 – dhe tani po ushqen zjarret. «Bari i Gambës është shumë i djegshëm kur thahet, duke rritur në masë të madhe ashpërsinë dhe shkallën e zjarreve në pjesën më të madhe të Australisë»,—thotë Bredshou. Egjrat gjithashtu zhvendosin speciet bimore vendase dhe dëmtojnë biodiversitetin.
Studiuesi thekson se speciet pushtuese janë një problem global. Por ndërsa vendet e pasura mund të përballojnë ta luftojnë atë, Jugu Global nuk ka burime të mjaftueshme për të trajtuar problemin. Megjithatë, ai shpreson se krijimi i një standardi të qartë për matjen e dëmeve mund të motivojë ndoshta qeveritë e vendeve të pasura të industrializuara për të financuar zgjidhje.
Platforma Ndërqeveritare e Shkencës-Politikave mbi Biodiversitetin dhe Shërbimet e Ekosistemit rekomandon gjithashtu më shumë fonde për vendet më të varfra. Kjo për shkak se speciet pushtuese jo vetëm që kanë shkaktuar aty shumë dëme – shumë specie pushtuese gjithashtu e kanë origjinën prej tyre. Sipas raportit të IPBES, parandalimi është opsioni “me kosto më të ulëta”. Përhapja e specieve pushtuese duhet parandaluar që në fillim – dhe kjo duhet të trajtohet me përparësi shumë të lartë, thotë Emili García-Berthou.
“Ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të parandaluar ardhjen dhe vendosjen e specieve të reja në vende,” tha García-Bertheu. Një mënyrë për ta bërë këtë është të mbikqyrim më mirë udhëtimin dhe transportin ndërkufitar.
Top Channel