Në fund të muajit korrik, qeveria miratoi vendimin që parashikonte rritjen e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës.
Vendimi kishte si qëllim të përafrojë vlerën e pasurisë me tregun e shitjes dhe blerjes së pasurive të paluajtshme. Formula e re parashikonte që taksa e pronës për familjarët të ishte sa 0,05 % i vlerës së apartamentit.
Megjithatë, e ftuar në “Top Story”, gazetarja Dorina Azo ka treguar se çmimet e referencës në Tiranë u rritën nga 5-76% në disa zona, duke shtrenjtuar pasuritë e paluajtshme më tej.
Duma: Një ekspoze të përgjithshme të asaj çfarë ke shtruar me objektivitet të plotë se çfarë ka ndodhur me taksat.
Azo: Në fund të muajit korrik, qeveria miratoi një vendim që u botua menjëherë në fletoren zyrtare, duke parashikuar hyrjen e menjëhershme në fuqi, i cili parashikonte rritjen e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të Tiranës.
Pra qyteti është i ndarë në 32 zona kadastrale dhe këto çmime shërbejnë për të llogaritur vlerën e apartamenteve, nga e cila del taksa e shtëpisë, apo për shit-blerje apo veprime të tjera që qytetarët kryejnë nga veprimet në kadastër. Në rastin konkret, ky vendim kërkonte vetëm përllogaritjen e taksës së pasurisë. Përveç zonave kadastrale, Në Tiranë çmimet e referencës u rritën nga 5-76%.
Po ashtu, ndryshuan çmimet e referencës për 5 komuna të Tiranës që janë Dajt, Kashar, Petrelë, Pezë dhe Farkë. Ndërsa për bashkitë e tjera që kanë vetëm një çmim referencë, ndryshe nga Tirana që ndahet në 32 zona kadastrale, çmimet e referencës mbetën të pandryshuara. Çdo të thotë kjo?
Kjo do të thotë një rritje automatike të vlerës së apartamentit që paguajnë qytetarët sepse vlera e shtëpisë në llogaritje merr për bazë çmimet e referencës.
Duma: Pak a shumë sot, sa paguhet për një apartament 90 apo 100 metra në këto zona.
Azo: Unë kam sjell disa shembuj për medien. Konkretisht së pari, një familje që zotëron një apartament me sipërfaqe 90 m2, në zonën kadastrale 7/4 që përfshin zonat si: Unaza e Re, Fabrika e Mjellit, ish-Fusha e Aviacionit, Yzberisht nga 245 lekë në muaj taksë të pasurisë së paluajtshme që paguante, do të paguaj 428 lekë në muaj, çka do të thotë 76% më shumë. (Taksa është vjetore, është përllogaritur mujore në mënyrë të thjeshtuar.)
Duma: Domethënë, tek fatura e ujit, një nga zërat që ka, qytetari paguante shtesë për një apartament në këto zona edhe 245 lekë në muaj.
Azo: Me rritjen e çmimeve fiskale, qytetarët do të paguajnë 428 lekë në muaj.
Duma: Pra rritje dyfish domethënë.
Azo: Po sepse në zona 7/4 është zona me rritjen kadastrale më të madhe. Në vlerë çmimet e referencës në këtë zonë janë rritur gati 400 mijë lekë të vjetra nga ç’ishin më përpara.
Top Channel