Të paktën 16 persona janë vrarë në një sulm me raketa në qytetin ukrainas Kostyantynivka.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se të vrarët ishin “njerëz që nuk bënë asgjë të keqe”. Duke fajësuar Rusinë për sulmet, Zelensky paralajmëroi se numri i të vdekurve mund të rritet.
Kostyantynivka, në rajonin lindor të Donetskut të Ukrainës, është afër vijës së frontit.
“Kjo e keqe ruse duhet të mposhtet sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi Zelensky. Autoritetet në Moskë ende nuk kanë komentuar mbi pretendimet. Mes 16 të vdekurve është një fëmijë, dhe të paktën 28 të tjerë janë plagosur.
“Të gjitha shërbimet janë duke punuar”- tha kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, duke shtuar se “zjarri është nën kontroll”.
Mësohet se nga sulmet janë goditur një treg, dyqane dhe një farmaci. Ngjarja ndodhi në një rrugë të frekuentuar teksa njerëzit po dyndeshin drejt tezgave të tregut dhe terracat e kafeneve.
Një hetim për sulmin ka nisur nga prokurori i përgjithshëm i Ukrainës, për të cilin zyra e tij tha se ishte në ndjekje të “procedurave penale për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës”. Zyrtarët në Rusi nuk e kanë marrë ende përgjegjësinë për sulmin. Ata kanë mohuar më parë se kanë shënjestruar qytetarët si pjesë e ofensivës së tyre.
Sulmi i së mërkurës përkoi me një vizitë të Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony Blinken, në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ku ai do të takohej me Zelenskyn. Gjatë takimit të sotëm, Blinken supozohej të shpallte një paketë të re ndihme amerikane për vendin e shkatërruar nga lufta.
Top Channel