Diplomatët kryesorë të rivalëve historikë të Turqisë dhe Greqisë përshëndetën një “epokë të re” në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke premtuar të përmirësojnë dialogun në muajt e ardhshëm.
Përfaqësuesit shtrënguan duart me njëri-tjetrin, ndërsa më pas në një konferencë për shtyp, treguan qartë se koha e tensioneve dhe mosmarrëveshjeve ka mbetur pas.
“Ne kemi hyrë në një epokë të re dhe pozitive në marrëdhëniet tona me Greqinë. Gjatë samitit në Vilnius, të dy liderët ranë dakord t’i trajtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve sërish në një atmosferë pozitive, për zgjidhjen e problemeve me një perspektivë të re dhe për këtë detyrë caktuan ministrat e tyre të jashtëm”, tha Hakan Fidan-Ministër i Jashtëm i Turqisë.
Ministri turk theksoi se janë të gatshëm të rinisin bisedimet pa kushte dhe të zhvillojnë marrëdhëniet, si objektivi kryesor i tyre.
Gerapetritis nga ana tjetër deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të mbështesë ambicien e Turqisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, me kusht që ajo të përmbushë disa pika kryesore, të cilat përfshijnë çështjet e të drejtave të njeriut.
Vizita e Ministrit të Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis në Ankara u zhvillua në një periudhë kur Turqinë kërkon të përmirësojë marrëdhëniet e saj të vështira me aleatët perëndimorë, pas dy vitesh në një krizë të thellë ekonomike.
Ai pason një takim të rrallë midis presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në samitin e NATO-s, që u mbajt gjatë muajit korrik në Vilnius.
Top Channel