Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur ditën e sotme Kolegjin e Kryetarëve të Partisë Demokratike.
Gjatë mbledhjes Basha tha se nuk do të lejojë askënd të luajë me interesat politike të PD-së, që kërkon të çojë demokratët symbyllurazi në hullitë e nongratave,
Ai tha se demokratët hynë në këtë betejë për të mbrojtur interesat e PD-së me çmim të lartë dhe me sakrifica të larta
Fjala e Bashës:
‘Në themel të gjithë kësaj qëndron një vetëdije e përbashkët që PD-ja nuk ekziston për ti shërbyer vetes por interesit kombëtar, publik e njerëzve. Është kjo vetëdije që na ka mbajtur gjallë. Dua ta them fare qartë, ne për dy vite me apo pa vullnetin tonë kemi qenë pjesë e një agjende që na ka larguar nga shqetësimet e hallet e përditshme që burojnë nga politika por nuk kanë asgjë të përbashkët me shqetësimet e politikanëve. Kjo nuk është politika që ne kemi zgjedhur të bëjmë, kjo nuk është politika që njerëzit presin nga ne ndaj me 2 shtator vendimet e Kuvendit janë të qarta, do të përfaqësojmë interesat e një grupi që politikën e shohin si instrument. Demokratët kanë në qëllim zgjidhjen e problemeve të shumta që kanë njerëzit. Ndaj në zbatim të vendimeve të këtij Kuvendi sot mblidhemi, për domosdoshmërinë që partia jo vetëm të deklarojë që është e hapur por të bëhet udhëheqëse përmes angazhimit dhe evidentimit të potencialeve të kapacitetit njerëzor. Ky do të ishte objektiv në çdo rast, është sfidë dhe mundësi që këtë riorganizim demokratët të tregojnë largpamësi, që kanë treguar në përballje publike se dinë dhe duan ti shërbejnë interesave të qytetarëve të tyre. Kjo do të thotë lehtësim të aleancës qytetare. Sa më shumë të fokusohemi në shërbim të publikut aq më shumë do të jemi pranë tyre. Një Parti Demokratike më e gjerë jo thjeshtë në mendësi por në vizion e në kulturë. Në këtë rrugëtim që kemi nisur ditën e shtunë dhe i cili është mirëpritur jo vetëm nga demokratët që mund të qëndrojnë në anën e vlerave këto dy vite, por edhe për anëtarët e PD-së që kanë parë një rreze drite të shtunën, të jemi të hapur nuk do të thotë vetëm të shprehim vullnetin për ti angazhuar këto potenciale por që aktivisht t’i bëjmë të ndihen në shtëpinë e tyre, duke respektuar lirinë e mendimit. Askush nuk e ka demonstruar më mirë se ne vullnetin për ta bërë këtë sakrificë. Ka nga ata që tashmë kanë zgjedhur rrugën e tyre, cilido që do ti bashkohet udhës së korrupsionit është i lirë por mos të flasë në emër të demokratëve. Më shumë gjatë ju penguan juve dhe PD-në me manovra të errëta, por kjo kohë mori fund. Unë nuk do të lejoj askënd të luajë me interesat politike të PD-së, që kërkon të çojë demokratët symbyllurazi në hullitë e nongratave, sepse ne hymë në këtë betejë për të mbrojtur interesat e PD-së me çmim të lartë dhe me sakrifica të larta.”- tha Basha.
Top Channel