Kërcënimet e Londrës nuk frenojnë fluksin, numër rekord emigrantësh kalojnë La Manshin!

04/09/2023 11:35

Masat e ashpra që po merr prej kohësh Londra zyrtare, nuk e kanë frenuar fluksin e klandestinëve që synojnë kalimin në Britani nga deti.

872 emigrantë me 15 varka të vogla e gomone  kaluan La Manshin Anglez gjatë fundjavës, një shifër rekord kjo që nga fillimi i vitit. Duket se ky vërshim i emigrantëve të paligjshëm është nxitur nga kushtet e favorshme të motit në zonë këto ditë.

Të dhënat e Home Office tregojnë se vetëm në harkun kohor nga 27 gushti deri në 2 shtator, 1,232 emigrantë u zbuluan duke përshkuar këtë rrugë, e kjo në kohën kur edhe numri i rasteve të prapambetura të azilkërkuesve në Britani ka arritur një rekord të ri, me mbi 175,000 vetë që presin një vendim për aplikimin e tyre të azilit në Mbretërinë e Bashkuar, të kryer në qershorit 2023.

Ky numër në vetvete shënon një rritje prej plot 44% nga fundi i qershorit 2022, sipas shifrat zyrtare të publikuara muajin e kaluar. Vera është koha më e favorshme për kalimin e rrezikshëm të La Manshit. Qeveria konservatore e kryeministrit Rishi Sunak, e ka kthyer në prioritet të saj luftën kundër emigracionit të paligjshëm.

Por edhe pse ligjet janë ashpërsuar dhe klandestinëve u ndalohet së fundi të kërkojnë azil në vend, ekzekutivi britanik sërish nuk po arrin ta kontrollojë dot plotësisht situatën. Londra zyrtare nuk ka hequr dorë sakaq edhe nga planet e saj për të dëbuar emigrantët në vendet e tyre të origjinës ose në vende të treta, si Ruanda, plane këto që janë bllokuar momentalisht nga gjykatat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA