Modelja e TikTok burgoset përjetë për vrasjen e të dashurit shantazhues të së ëmës, dërgon puthje në gjyq pas verdiktit (fotot)

02/09/2023 18:18

Një modele e rrjetit TikTok është burgosur përjetë sot në Britani sa bashku me nënën e saj, për organizimin e vrasjes se dy burrave gjatë një ndjekjeje shpejtësie me makinë, dhe një konflikt shantazhi që një prej tyre kishte me nënën e saj.

24 vjeçarja Mahek Bukhari, e cila qeshte dhe shpërndante puthje në sallë, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa nëna e saj 46 vjeçare Ansreen Bukhari me 26 vjet burg, për vrasjen që kishte si qëllim të bënte të heshte ish-të dashurin 21 vjecar të nënës, Saqib Hussain, pasi ai kërcënonte të ekspozonte lidhjen e tyre me publikimin e videove të seksit.

Hussain u vra pas një përplasjeje me shpejtësi rreth 160 km në orë, bashkë me shokun e tij  Hashim Ijazuddin, të dy 21 vjeçarë, kur makina e tyre Skoda u përplas qëllimisht për t’u nxjerrë nga rruga në autostradën A46 pranë Leicester.

Organizatorja e vrasjes Mahek, fshinte më pas lotët kur gjykatësi i dha dënimin duke e quajtur “të fiksuar me veten”.

Gjykatësi Spencer i tha Mahek se kishte një sens të ekzagjeruar rëndësie për veten, dhe se shpresonte se burgu do ta korrigjonte.

Para arrestimit të saj 18 muaj më parë, Mahek kishte 126,000 ndjekës në TikTok dhe rreth 43,000 në Instagram.

Gjykatësi tha më tej: “Prokuroria e kategorizon këtë si një histori dashurie, fiksimesh dhe zhvatjeje, që përfundoi me një vrasje gjakftohtë”.

Mahek kishte organizuar grackën kur Hussain kërcënonte të ekspozonte me video seksi lidhjen që kishte pasur me nënën e saj Ansreen.

Autoret e përplasjes të porositur nga Mahek, ishin Rekhan Karwan, 29 vjeç, Raees Jamal, 23, të cilët u dënuan përjetë.

Të tjerë bashkëpunëtorë të komplotit Natasha Akhtar, 23, u dënua me 11 vjet burg, Ameer Jamal, 28 vjeç, u dënua me 14 vjet, kurse Sanaf Gulamustafa, 23 vjeç, u burgos për 14 vjet.

Viktimat, të dy 21 vjeç nga Oxfordshire, ishin në një makinë Skoda që u ndoq për vdekje nga një Audi e një Seat ku qëndornin tetë të dënuarit e sotëm.

Pasi doli nga rruga, mjeti Skoda Fabia ishte ndarë në dy pjesë dhe shpërtheu në flakë pas përplasjes me një pemë natën e 11 shkurtit, vitin që shkoi.

Pas vdekjes familja e Hussain tha në polici se ai kishte një lidhje prej tre vjetësh me gruan e martuar.

Në gjykatë u tha se Saqib po i bënte shantazh Ansreen por kjo e fundit “ishte e rritura e grupit, dhe duhet të kishte vepruar si e tillë.”

Prokurori Colingwood Thompson tha: “Duhej gjetur një mënyrë për të bërë të heshte Saqib – ose duke e plagosur rëndë për ta paralajmëruar, ose duke e vrarë”.

“Zbulimi i historisë do të kishte dëmtuar martesën e Asreen Bukhari dhe reputacionin e saj në komunitet”.

“Kjo do të kishte dëmtuar dhe marrëdhënien e Mahek me babanë e saj, pasi ajo ishte në dijeni të lidhjes”.

“Mahek ishte një influencuese në rrjetet sociale me një numër të madh ndjekësish, dhe zbulimet sigurisht do ta dëmtonin”.

Saqib llogaritet se kishte shpenzuar më shumë se £2,000 me Ansreen gjatë lidhjes së tyre dhe kërkonte paratë e tij mbrapsht, çka mund të quhet “shantazh”, u tha në gjykatë.

FOTO GALERI
5/9
Viktima Hussain kërcënonte të ekspozonte me video seksi lidhjen

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA