Policia publikon pamjet e vrasjes së gruas shtatzënë nga oficerët jashtë supermarketit në SHBA (foto-video)

01/09/2023 21:48

Ta’Kiya Young dhe fëmija i saj i palindur u qëlluan për vdekje nga policia gjatë incidentit fatal në Ohio, për të cilin familjarët dhe komuniteti thonë se mund të evitohej.

Policia ka publikuar tashmë pamjet e kamerave trupore të vrajës së gruas me ngjyrë nga oficerët kur ajo refuzonte të dilte nga makina para një supermarketi në Ohio.

21-vjeçarja u qëllua për vdekje në parkingun e qytezës Blendon Township, pranë kryeqytetit të Ohio, Columbus, më 24 gusht. As fëmija i palindur i Young nuk i mbijetoi të shtënave.

Kreu vendor i policisë John Belford e karakterizonte incidentin si një “tragjedi” që ndodhi teksa policia tentonte të ndalonte Young pasi ishte akuzuar për vjedhje nga dyqani.

Familja e Young quante vrasjen “të evitueshme, keqpërdorim i pushtetit dhe autoritetit”, si dhe “akt i urryer”.

Në pamje shihet fillimisht oficeri policisë që afrohet te dritarja e makinës së viktimës Young dhe i kërkon të dalë jashtë.

“Për çfarë?” pyet e reja duke mohuar se ka marrë sende pa i paguar.

Por më pas makina e saj shihet që nis të bëjë përpara ku qëndronte një tjetër oficer i cili qëllon me pistoletë drejt drejtueses dhe më pas hidhet anash për të shmangur goditjen.

 


Policët shihen më pas që ndalojnë makinën dhe thyejnë xhamin për të hyrë brenda  ndërsa shoferja është pa ndjenja.

Familja e viktimës tha se ajo priste të lindte bijën e saj në nëntor, ndërsa ishte nënë e dy fëmijëve të tjerë.

Policia nuk ka bërë të ditur identitetin e dy oficerëve të përfshirë.

Ata shtonin se një nga oficerët kishte krahun e tij brenda makinës së Young kur ajo vuri mjetin në lëvizje, dhe se kjo përbën sulm ndaj personit.

Aktivisti i të drejtave civile Ramon Obey, tha se pamjet e incidentit tregonin se “prona ishte konsideruar më me vlerë se jeta e një personi”.

Një miting komunitar kundër dhunës së policisë po mbahet në Columbus kësaj fundjave.

FOTO GALERI
2/3
Familja e viktimës tha se ajo priste të lindte bijën e saj në nëntor, ndërsa ishte nënë e dy fëmijëve të tjerë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA