I pari në botë! Si ka mbijetuar Paul në një ‘mushkëri hekuri’ për 70 vite/ U prek nga poliomeliti kur ishe 6 vjeç

01/09/2023 11:33

Paul Alexander ishte vetëm gjashtë vjeç kur u prek nga poliomieliti, sëmundje e cila e la të paralizuar nga qafa e poshtë.

Në pamundësi për të marrë frymë vetë, ai u vendos brenda një tubi të veçantë të quajtur “mushkëri hekuri”, e cila e mban gjallë që nga viti 1952.

Edhe pse Paul jeton i varur nga makina, ai ka arritur të zhvillojë mënyrën e tij të frymëmarrjes , të cilën ai e quan “frymëmarrje bretkosash” dhe e cila i lejon atij të dalë jashtë kësaj aparature.

Ventilatori në fjalë, i cili duket si një arkivol metalik i frikshëm, kërkon që pacientët të shtrihen brenda tij, me një pajisje të lidhur fort në qafë. “Mushkëria e hekurt”, një ventilator mekanik i mbyllur, ishte një tub mrekullie që lëvizi mushkëritë dhe shpëtoi jetën e mijëra pacientëve të paralizuar nga poliomieliti.

Pajisja funksionon duke krijuar një vakum dhe kështu mushkëritë e pacientit furnizohen me oksigjen, pasi sistemi nervor qendror dhe funksioni i frymëmarrjes janë dëmtuar nga poliomieliti.

Ndërsa ishte në spital, mjekët u përpoqën ta bënin Paulin të merrte frymë vetë duke e shkëputur nga makina. Por pothuajse menjëherë ai filloi të mavijoset.

Sipas The Guardian, Paul arriti të marrë frymë vetë duke zhvilluar një teknikë shumë të vështirë  të quajtur “frymëmarrja e bretkosave”.

Emri mjekësor për “frymëmarrjen e bretkosave” është “frymëmarrja glosofaringeale” e cila bëhet duke gëlltitur ajrin. Ishte terapistja fizike e Paulit, znj. Sullivan, e cila e ndihmoi atë të zhvillonte këtë teknikë të frymëmarrjes.

Palit iu desh një vit, dhe pasi ai mundi të merrte frymë vetë për një kohë të gjatë, ai mundi të dilte nga mushkëria e hekurt. Ulej fillimisht në tarracën e shtëpisë dhe më pas dilte në oborr.

Edhe pse për të jetuar iu desh të flinte në mushkërinë e hekurt, Pali filloi dalëngadalë të dilte jashtë oborrit. Në moshën 21-vjeçare, ai u bë personi i parë që u diplomua nga një shkollë e mesme në Dallas pa ndjekur mësimet personalisht.

Paul tregoi përvojat në autobiografinë e tij prej 155 faqesh, të cilën e shkroi gjatë pesë viteve. Pali shkroi çdo fjalë me një stilolaps të ngjitur në një shkop në gojë.

Tani, në moshën 77-vjeçare, ai është një nga njerëzit e fundit në botë që ende përdor një mushkëri hekuri dhe mbështetet pothuajse ekskluzivisht tek ajo për të marrë frymë.

Mushkëria origjinale e hekurit, e cila filloi të nxirrte ajër në vitin 2015, u riparua me sukses nga mekaniku Brady Richards, i cili pa Paulin në YouTube duke kërkuar ndihmë. 77-vjeçari i mbijetoi pandemisë së koronavirusit, pavarësisht se ishte në grupin me rrezik të lartë.

Makina e Paul u shpik në vitin 1928 dhe nuk është prodhuar që nga fundi i viteve ’60, pasi teknologjia ka përparuar. Pavarësisht shpikjes së makinerive më moderne, Aleksandri ka preferuar të vazhdojë të jetojë në mushkërinë e tij të hekurt.

Ai shpjegoi për Guardian në vitin 2020 se në kohën kur u zhvilluan makineritë më të reja, ai ishte mësuar me “kalin e tij të vjetër të hekurt”. Ai refuzon të bëjë një vrimë tjetër në fyt, e cila do të ishte e nevojshme për pajisjet më të reja.

Ai kurrë nuk hoqi dorë nga vetja

Në një intervistë me regjisorin Mitch Summer në vitin 2020, Paul deklaroi se ai kurrë nuk hoqi dorë nga vetja, pavarësisht vështirësive me të cilat u përball.

“Nuk ka rëndësi se nga jeni, cila është prejardhja juaj apo sfidat me të cilat mund të përballeni. Ju me të vërtetë mund të bëni gjithçka. Thjesht duhet ta vendosni në mendje dhe të punoni shumë”, është shprehur ai.

Megjithatë, Paul ende ka frikë se poliomieliti mund të kthehet.

“Unë i shoh spitalet përsëri të mbingarkuara me viktima. Unë u them mjekëve se do të ndodhë një epidemi. Ata nuk më besojnë”, tha ai për Guardian.

Poliomeliti përfshiu Amerikën në vitet 1940 dhe 1950. Nuk ka pasur asnjë rast të ri të poliomielitit në SHBA që nga viti 1979, as në MB që nga viti 1984 dhe deri në vitin 2000. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur të gjithë Amerikën dhe rajonin perëndimor të Paqësorit pa poliomielit.

Sot, virusi shfaqet vetëm në tre rajone, Afganistan, Nigeri dhe Pakistan, dhe rastet numërohen në dhjetëra.

Poliomieliti (polio) sulmon neuronet motorike në palcën kurrizore, duke ndërprerë komunikimin midis sistemit nervor qendror dhe muskujve, duke i bërë ata përfundimisht shumë të dobët për të lejuar një person të marrë frymë vetë.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA