Hobi i një njeriu ndihmon në përpjekjet për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë

01/09/2023 17:34

Gjithçka filloi si një hobi, por vëzhgimi i anijeve ruse të mallrave në ngushticën e Bosforit dhe zbulimi i atyre që po shkelin sanksionet duke transportuar ngarkesa të paligjshme nga portet e pushtuara në Ukrainë, është bërë një burim i rëndësishëm për mediat botërore dhe organizatat që vëzhgojnë zbatimin e sanksioneve.

Nga tarraca e tij, Yoruk Isik filmon me kamera një tjetër anije ruse mallrash tek kalon ngushticën e Bosforit pranë Stambollit. E nisur nga Deti i Zi, destinacioni i saj është tregu evropian dhe më gjerë. Për zotin Isik, gjithçka filloi si një hobi. Por për analistin politik vëzhgimi i anijeve është kthyer në një pasion personal.

“Kam interes për politikën e jashtme ruse dhe vëzhgimi i anijeve në Bosfor më ofron të dhëna për politikën e jashtme të Moskës dhe në çfarë po angazhohen ata, çfarë planifikojnë për muajt ardhshëm”, thotë analisti Yoruk Isik me organizatën “Bosphorous Observer”.

Rrugët ujore të Bosforit kalojnë përmes një ngushtice prej disa qindra metrash, çka e bën të lehtë vëzhgimin e anijeve. Zoti Isik regjistron emrin e anijeve, ngarkesën dhe flamurin nën të cilin lundrojnë. Ai punon me një rrjet ndërkombëtar vullnetarësh dhe organizatash joqeveritare që ndajnë të dhëna në internet mbi lëvizjen e anijeve ruse të mallrave.

Të dhënat janë të rëndësishme për mediat botërore dhe të tjerët që vëzhgojnë zbatimin e sanksioneve. Faqja në internet e zotit Isik, bosphorusobserver.com, është bërë një burim i rëndësishëm për mediat përfshirë agjencinë e lajmeve Reuters, e cila përdor fotot e tij.

Meqenëse anijet që shkelin sanksionet shpesh e shuajnë sistemin e identifikimit automatik, çka mundëson gjurmimin nga autoritetet ndërkombëtare, përpjekjet e vëzhgimit nga njerëz si Isik janë jetike, thonë organizatat që punojnë për të ekspozuar anijet ruse që shkelin sanksionet.

“Ky lloj vëzhgimi i anijeve është shumë i rëndësishëm pasi ata që shkelin sanksionet i manipulojnë gjurmuesit atuomatikë në mënyra të ndryshme. Në disa raste bëjnë që anija të duket sikur është në një vend tjetër. Të gjitha të dhënat e grumbulluara nga vëzhgimi ka të ngjarë të jenë të vlefshme”, thotë për Zërin e Amerikës George Voloshin, ekspert për krimet financiare.

Ai thotë se një monitorim i tillë ndihmoi në ekspozimin e eksporteve ruse të grurit dhe qymyrit ukrainas, të vjedhura nga portet e Detit të Zi të pushtuara nga Moska. Zoti Isik regjistroi një pjesë të mirë të këtyre anijeve duke kaluar përmes ngushticës së Bosforit. Moska i mohon akuzat për shkelje sanksionesh.

Turqia ka juridiksion të kufizuar mbi ujërat jashtë Stambollit, zonë e cila njihet si një nyje ndërkombëtare për qindra anije mallrash dhe cisternash bosh që shpesh ndryshojnë pronarët. Ekspertët thonë se kjo e bën të vështirë gjurmimin dhe krijon kushte të favorshme për ata që kërkojnë të anashkalojnë një listë të gjatë sanksionesh. Një tjetër problem është edhe refuzimi i Turqisë për t’i zbatuar sanksionet. Ankaraja thotë se nuk është e detyruar. Tregtia midis Rusisë dhe Turqisë është rritur që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Rusia është vendi më i sanksionuar në botë. Pra, shumica e njerëzve që janë të angazhuar në tregti me Rusinë po përpiqen të fshehin aktivitetet e tyre sepse janë të shqetësuar se disa nga këto sanksione disi do të kthehen dhe do t’i ndjekin ata nga pas”, thotë për Zërin e Amerikës analisti Yoruk Isik.

Në vitin 2015, zoti Isik ekspozoi eksportin detar të armëve ruse për qeverinë siriane, në luftën e saj kundër rebelëve. Tani, ai e kalon pjesën më të madhe të kohës së tij të lirë duke gjurmuar anijet, për të cilat ai ai thotë se do të vazhdojnë trafikimin për shumë vite, pasi Rusia nuk po tregon shenja të ndryshimit të qëndrimit të saj./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA