Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u deklarua i pafajshëm më 31 gusht lidhur me akuzat se tentoi në mënyrë të paligjshme t’i përmbysë rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 në Xhorxhia dhe tha se nuk do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore të javës së ardhshme.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Fultonit, Scott McAfee, kishte caktuar seancat dëgjimore për Trumpin dhe 18 të tjerët të akuzuar në këtë rast për 6 shtator.
Por, një dokument i publikuar tani bën të ditur se Trump nuk do të ketë nevojë të paraqitet në atë seancë.
Vendimi për mos u paraqitur personalisht bën që ish-presidenti republikan të mos detyrohet të deklarohet i “pafajshëm” në një sallë gjyqi. Gjykatat në Xhorxhia kanë rregulla mjaft të lehta për lejimin e kamerave televizive në sallën e gjyqit dhe ky hap do të thotë që Trump nuk do të duhet të deklarohet lidhur me akuzat ndaj tij në televizion.
Ish-presidenti republikan përballet me 13 akuza penale, përfshirë shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për ta kthyer humbjen e tij në zgjedhje nga presidenti demokrat, Joe Biden.
Rasti i Xhorxhias përbën aktakuzën e katërt të ngritur ndaj Trump. Ai përballet me një gjyq në Nju Jork lidhur me një pagesë të bërë ndaj një ylli të pornografisë dhe një gjyq në Florida për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara federale.
Një tjetër aktakuzë, në Uashington, e akuzon atë për përpjekje të paligjshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi të nisë në janar, por ende nuk është caktuar një datë.
Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij.
Top Channel