Një 30-vjeçare nga Greqia ka rënë pre e bashkëkombasit të saj duke u shfrytëzuar si prostitutë në Durrës dhe më pas i janë grabitur paratë në banesën ku ushtronte veprimtarinë e kundërligjshme.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se 28-vjeçari grek, me inicialet F.P., i çoi dy burra për ta vjedhur me dhunë. Ngjarja është denoncuar menjëherë në Polici, ku e reja ka kalllëzuar penalisht agresorët.
Si rezultat kanë nisur hetimet dhe Policia është vënë në ndjekje të tutorit, njëherazi organizator i grabitjes, dhe autorëve që realizuan planin e tij. Gjatë fazës së parë të operacionit është arrestuar tutori grek. 28-vjeçari u kap dy ditë më parë në Pikën Kufitare të Kapshticës në tentativë për t’u larguar nga vendi.
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme u kap dhe u vu në pranga edhe shtetasi V. D., 23 vjeç, banues në Berat, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. V., 54 vjeç, banues në Kuçovë. Nga hetimet rezultoi se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur 30-vjeçares me dhunë në banesë, 3000 euro.
Vijon puna për kapjen e 54-vjeçarit, ndërsa 30-vjeçarja greke është proceduar në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel