Trupi i gjashtë-vjeçarit gjendet i hedhur në lumë, i lidhur pas betonit në Gjermani (fotot)

30/08/2023 16:19

Komunitetit ndërkombëtar po i bëhet apel për ndihmë në zbulimin e asaj që i ka ndodhur një djali të vogël, në një rast që duket se ka lidhje me trafikun ndërkombëtar të abuzimit e vrasjes së femijëve.

Trupi i djalit që besohet se ishte pesë ose gjashtë vjeç, është gjetur në 19 maj i hedhur në lumin Danub pranë qytezës Grossmehring, në Bavari të Gjermanisë.

Trupi i fëmijës tragjik ishte mbështjellë me letër alumini dhe i lidhur me një bllok betoni para se të hidhej në fund të lumit.

Nuk dihet prej sa kohësh ishin aty mbetet e fëmijës para se të zbuloheshin, ndërsa policia gjermane thotë se ende nuk e ka identifikuar atë.

Hetuesit kanë thënë se fëmija i racës së bardhë ishte rreth 110cm i gjatë, peshonte vetem 15kg, kishte flokë kafe dhe grup gjaku O.

Ata kanë krijuar një rindërtim 3D të asaj që besojnë se ishte fytyra e tij dhe kanë ofruar €10,000 shpërblim për këdo që sjell informacione rreth viktimës së krimit të pashembullt.

Zyrtarët thanë se djali ka kaluar kohë në vende të tjera dhe ka rënë viktimë i trafikantëve ndërkombëtarë prandaj po përfshijnë në hetim Interpol me 195 vende anëtare.

Sekretari i përgjithshëm i Interpol, Jürgen Stock tha: “Dikush me siguri di diçka për këtë djalë dhe kjo e bën të rëndësishme që detajet të shpërndahen publikisht”.

“Nëse ai është viktimë e trafikimit, rrëmbimit, dhunës e përdhunimit, ne jemi të përkushtuar të mobilizojmë burimet e Interpol për identifikimin e tij për të hedhur dritë mbi vdekjen”.

Në fillim të këtij viti Interpol bënte thirrje për ndihmë dhe në identifikimin e trupave të 22 personave të tjerë që janë vrarë dhe nuk janë identifikuar, kryesisht gra e vajza.

Organizata ka shpërndarë imazhet e rikonstruktuara të fytyrave të tyre, teksa zbulimet makabre të viktimave janë bërë në Hollandë, Belgjikë e Gjermani.

Imazhet shoqëroheshin me përshkrime të tatuazheve të viktimave, të bizhuterive të mundshme apo mejteve të tjera të identifikimit.

Zyrtari i policisë holandeze Martin de Wit tha më herët për viktimat e paidentifikuara: “Falenderojmë publikun dhe zyrtarë të ndryshëm për interesimin dhe shpërndarjen e informacionit. Këto gra meritojnë të marrin emrin e tyre dhe çdo informacion mund të bëjë ndryshimin për njoftimin e të afërmve të tyre”.

FOTO GALERI
3/3
Në fillim të këtij viti Interpol bënte thirrje për ndihmë dhe në identifikimin e trupave të 22 personave të tjerë që janë vrarë dhe nuk janë identifikuar, kryesisht gra e vajza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA