Shkolla e Hoteleri-Turizmit në kryeqytet është rikonstrukturuar dhe është gati të presë nxënësit në vitin e ri shkollor.
Kryeministri Edi Rama vizitoi këtë të mërkurë ambientet e shkollës, e cila ka nisur certifikimin nga Shkolla e Lausanne, më e mira në botë për Hotelerinë, që do të mbështesë nevojat e sektorit Hoteleri-Turizëm.
“Sapo kemi nënshkruar me shkollën e hoteleri-turizmit të Lozanes, e cila është një ndër shkollat më të mira në botë në fushën e turizmit. Ka qenë një negociatë e vështirë, por më në fund ata do vijnë në Shqipëri dhe brenda vitit ne po përgatitemi që të standardizojmë dhe të rrisim cilësinë në nivelin e shkollës së hoteleri-turizmit duke filluar me kurrikulat, me trajnimin e mësuesve, me sigurimin që infrastruktura e shkollës e cila është e investuar, t’i përgjigjet standardeve të shkollës së hoteleri turizmit, standardeve ndërkombëtare, aty ku synojmë të shkojmë”, shpjegoi zëvendësministrja e Financës Olta Manjani.
Këtë vit, shkolla e Hoteleri-Turizmit ka zgjeruar kapacitetet e saj, duke arritur në 1200 kuota. Rama bisedoi me disa nga nxënësit, të cilët i gjeti në klasat e shkollës, edhe pse viti shkollor nuk ka nisur zyrtarisht.
Arsimi profesional po preferohet përherë e më shumë nga të rinjtë, ndërsa 80 % e studentëve punësohen që në bankat e shkollës me pagesa konkurruese për tregun shqiptar. Vëmendja për përmirësimin e kushteve dhe cilësisë do të jetë në fokusin tonë kryesor, sidomos sot kur Shqipëria po përjeton një fluks të jashtëzakonshëm turistësh, shprehet kryeministri.
Top Channel