Marshim për Klajdin në Ankona/ Hetimet për vrasjen e 23-vjeçarit, vrasësi e qëlloi dhe iku në plazh

30/08/2023 14:56

23-vjeçari Klajdi Bitri humbi jetën, pasi shtiza me të cilën u godit, i dëmtoi zemrën dhe mushkëritë.

Kështu thuhet në autopsinë e nxjerrë nga mjekësia ligjore për të riun shqiptar që vdiq teksa po përpiqej të mbronte një shokun e tij italian.

Autoritetet thonë se vdekja e të riut shqiptarë ka qenë e menjëhershme, ndërsa goditja ka qenë ballore. Autopsia konkludon se plaga në zemër dhe thellësia e goditjes përputhet me shtizën që gjetën karabinierët, së bashku me pushkën, në momentin kur arrestuan vrasësin algjerian, Melloul Fatah.

Ky i fundit ndodhet aktualisht në paraburgim me akuzën e vrasjes së rëndë për arsye të dobëta, ndërsa pritet të dalë para gjykatës për të mësuar masën e sigurisë. 27-vjeçari algjerian, i cili kishte vetëm 3 muaj që kishte marrë shtetësinë italiane, shokoi mbarë opinionin publik atje kur u mësua se pas vrasjes shkoi në plazh me të fejuarën, ku edhe u prangos nga policia.

Në deklarimin e parë para prokurorit avokati i algjerianit ka thënë se klienti i tij nuk e kishte menduar se kishte vrarë dikë dhe se gjithçka ka ndodhur në moment. Ende nuk është nën hetim zyrtar e fejuara e algjerianit, e cila pa gjithçka ndodhi. Ajo është marrë në pyetje si person që ka dijeni për faktet, dhe ka deklaruar se nuk e kishte kuptuar që 27-vjeçari kishte vrarë një person.

Mes njerëzve që e kanë njohur Klajdin dhimbja nuk është lehtësuar. Vëllai i viktimës, Xhuliano dhe miqtë e tij vijojnë të qëndrojnë para morgut të qytetit për të marrë trupin e të dashurit të tyre. Një ceremoni marshimi dhe përshpirtje pritet të zhvillohet në Ankona me mbështetjen e autoriteteve lokale. Për të shprehur dhimbjen dhe njëkohësisht vlerësimin që komuniteti kishte për të riun shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA