Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar punimet e nisura në rrugën Prekal-Kir.
Gjatë inspektimit kryebashkiaku Beci është takuar edhe me banorë të zonës, të cilët shprehen të kënaqur nga fillimi i këtij investimi të shumëpritur që do të ndikojë në zhvillimin dhe ripopullimin e zonës së Dukagjinit.
Projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që financohet nga qeveria me fondin prej 200 805 067 lekë, ka si objekt mbrojtjen nga rrëshqitjet dhe ndërtimin e veprave të artit përgjatë këtij segmenti me gjatësi 17 km.
Projekti konsiston në sistemimin, profilimin e rrugës si dhe vendosjen e tombinove dhe mureve mbajtës nga Fshati Prekal deri në hyrje të Fshatit Lotaj, si dhe në restaurimin e veprave ekzistuese të artit dhe shtimin e tyre aty ku janë të domosdoshme.
Rruga do të ketë një gjerësi të përgjithshme prej 5.00 m, duke ruajtur aksin e rrugës ekzistuese. Punimet pritet të përfundojnë deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
Ky aks rrugor, në të cilin nuk është investuar prej vitesh, ka një dimension strategjik për zhvillimin e turizmit në rajonin e Shkodrës dhe të Tropojës.
Top Channel