Një person është arrestuar, një është shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme penale në Shkodër.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se blutë e Shkodrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 39 vjeç, banues në fshatin Dobraç, pasi ka kundërshtuar me dhunë, punonjësit e Policisë që po e shoqëronin për një konflikt në të cilin ishte përfshirë së bashku me të afërm të tij.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. Ç., 23 vjeçe dhe B. B., 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi L. Ç., 25 vjeç, të tre banues në Kosovë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Në Pikën Kufitare të Muriqanit, gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës “Prishtinë-Ulqin”, me drejtues shtetasin B. B., 25-vjeç, në çantën me dërgues shtetasin L. Ç. dhe me marrëse një 23-vjeçare, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Vijon puna për kapjen e 25-vjeçarit.
Ndërkaq, në Vaun Dejës specialistët e Shkodrës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 54 vjeç, banues në fshatin Naraç, Vau i Dejës, sepse gjatë tentativës për të vrarë me armë gjahu një qen endacak ka dëmtuar aksidentalisht shtetasin P. M., i cili pasi ka marrë ndihmë mjekësore, është larguar në banesë.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., S. M. dhe H. S., pasi janë kapur duke drejtuar motomjetin përkatës, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel