Moti i keq dhe përmbytje, Ministria e Mbrojtjes: Jemi në gatishmëri për çdo emergjencë, bashkitë të marrin masa

29/08/2023 08:12

Ndërsa moti në vend mori një kthesë të papritur, ku temperaturat u ulën me disa gradë, pritet që moti i keq e reshjet të vijojnë në disa qytete të vendit.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi do të ketë reshje mesatare në shumicën e qarqeve ndërsa do të shoqërohen edhe me shtrëngata.

“Bazuar në informacionin e marrë nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, duke filluar prej orëve të para të së martës, në vendin tonë priten reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë. Reshje mesatare priten në shumicën e qarqeve të tjera të vendit duke u shoqëruar edhe me shtrëngata. Në qarqet e sipërpërmenduara, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve”, thotë Peleshi.

Përpara kësaj situate, ministri  iu ka bërë thirrje bashkive të marrin masat për çdo emergjencë.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bëjmë thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Do të jemi në vëzhgim për të gjitha situatat që mund të ndodhin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve tanë”, njoftoi ministri Peleshi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA