Konsumi i energjisë është ulur/ Bizneset dhe familjarët, 7 përqind më pak se një vit më parë

29/08/2023 19:18

Konsumi i energjisë elektrike u ul në gjashtë muajt e parë të vitit Si nga bizneset ashtu edhe nga familjet.

Të dhënat tregojnë se konsumi u ul me 7% në total në krahasim me të njëjtën periudhë nga viti i kaluar, ku më i theksuar ishte tek bizneset.

Nga krahu tjetër prodhimi vendas i energjisë ka qenë me rritje 28% nga një vit më parë. Kjo ka bërë që KESH të eksportojë energji në gjashtë muajt e parë të vitit. Vetëm nga optimizimi i portofolit të saj KESH ka arritur të sigurojë 11.4 milion euro, ku pjesa më e madhe e kësaj shume ka ardhur si rezultat i energjisë së dhënë ndaj KOST të Kosovës.

Ndërkohë, kompania publike ka shitur rreth 40 milion euro energji dhe ka shpenzuar vetëm gjysmën e kësaj shume për të siguruar sasinë e nevojshme në korrik-gusht, kur janë edhe muajt e thatësirës.

Gjithashtu niveli i Fierzës, në këtë periudhë ka qëndruar mbi mesataren historike tregon raporti i Entit Rregullator të Energjisë, si faktor i prurjeve të shumta, por edhe ruajtjes së rezervës hidrike. Në qershor niveli i Fierzës shënoi gjithashtu një maksimum të ri historik në kuotën e 293.6 metrave.

Nga krahu tjetër, Shqipëria ka bërë edhe përparim në diversifikimin e energjisë. Prodhimi nga centralet fotovoltaike u rrit me 42% në gjashtëmujor, edhe pse energjia diellore përbën vetëm 0.7% të gjithë totalit.

Humbja e energjisë, një tjetër indikator i rëndësishëm, pësoi gjithashtu ulje me 1.38%, duke qëndruar në kuotën 19.88%.

Top Channel